BQK: Ekonomia e Kosovës do të rritet me 4.2%

Prishtinë | 22 Mar 2019 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka njoftuar se sipas projeksioneve të saj, aktiviteti ekonomik gjatë vitit 2019 do të shënojë një përmirësim të lehtë krahasuar me vitin 2018, duke arritur normën prej 4.2 për qind, në krahasim me 4.0 për qind sa ishte në vitin 2018.

“Ky përmirësim i lehtë i atribuohet kryesisht pritjeve për një zvogëlim të kontributit negativ të eksporteve neto në aktivitetin ekonomik, por edhe stimulit të përforcuar fiskal dhe rritjes së kreditimit dhe remitencave, të cilat pritet të vazhdojnë të jenë burime të qëndrueshme për financimin e aktivitetit ekonomik”, thuhet në raporton e BQK-së për Vlerësimin Tremujor të Zhvillimeve Makroekonomike.

Sa i përket konsumit, projeksionet e BQK-së sugjerojnë një rritje më të ngadalësuar krahasuar me tremujorin paraprak. Kredia e re për konsum shënoi rënie tremujore prej 9.9 për qind në TM4 2018, përderisa remitencat shënuan rritje prej 5.9 për qind në muajt tetor-nëntor 2018.

Gjithashtu, pritjet për një rritje më të ngadalësuar tremujore të konsumit privat mbështeten edhe nga ngadalësimi i rritjes së importit të mallrave të konsumit prej 2.8 për qind në periudhën raportuese (3.4 për qind në tremujorin paraprak).

“Në anën tjetër, shpenzimet rrjedhëse të qeverisë të cilat shënuan rritje prej 10.2 për qind në muajt tetor-nëntor 2018 pritet të zbusin efektet negative të ngadalësimit të konsumit privat në konsumin e përgjithshëm. Treguesit e tërthortë për investimet private ofrojnë sinjale pozitive në TM4 2018. Importi i mallrave kapitale si dhe kreditë e reja për investime kanë shënuar rritje prej rreth 20 për qind përkitazi. Gjithashtu, numri i bizneseve të reja, korrigjuar me numrin e bizneseve të mbyllura, ka regjistruar rritje prej 31.4 për qind në TM4 2018”, thuhet në raportin e BQK-së. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme