BQK-ja 5 ditë për të reflektuar, nga e premtja protestat s’do të ndalen

Prishtinë | 25 Nën 2019 | 08:09 | Nga Ekonomia Online

Banka Qendrore e Kosovës ka kohë deri të premten të reflektojë në lidhje me vendimin e saj rreth rritjes së tarifës për sigurimin e automjeteve, në të kundërtën protestat nuk do të ndalen deri në ndryshimin e atij vendimi. BQK-ja në fillim të këtij muaji kishte marrë vendim për rritjen e tarifës në 26,6 për qind për sigurimin e automjeteve, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Banka Qendrore e Kosovës edhe më tej nuk po tërhiqet nga vendimi i saj i marrë në fillim të këtij muaji për rritjen e tarifës 26,6 për qind për sigurimin e automjeteve. Për këtë vendim të marrë gjatë ditës së sotme përfaqësuesit e grupit “Maniakë të kërreve” do t’i dërgojnë BQK-së gjashtë kërkesat e tyre.

Në rast se këto kërkesa nuk plotësohen, ata kanë paralajmëruar protesta deri në anulimin e vendimit.

Përfaqësuesi i këtij grupi, Agan Hajdarhoxha, ka bërë të ditur se kërkesat e organizatorëve, të cilat do t’i dorëzohen BQK-së, janë: Pezullimi i vendimit për shtrenjtimin e çmimit për sigurimin e veturave ose kthimi i vendimit të mëhershëm; Shqyrtimi i vendimit të ri me kompanitë e sigurimit e qasja në takime dhe diskutime mes BQK-së dhe Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës.

Gjithashtu kërkesë e tyre është që BQK-ja të ketë takime me anëtarët e këtij grupi, të zhvillohet një anketë me qytetarët e Kosovës, të ketë marrëveshje sa më të favorshme për xhepin e qytetarëve e që vendimi i ri të mos merret pa dijeninë e askujt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme