Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka marrë vendim për revokimin e licencave për institucionin mikrofinanciar “Iute Credit” dhe institucionin financiar jobankar “Monego”, raporton Ekonomia Online.
Vendimin e Bordit Ekzekutiv a ka arsyetuar guvernatori Fehmi Mehmeti. Ai tha se në kohën kur këto dy institucione kishin aplikuar për licencë në BQK, kishin dorëzuar një plan biznesi nga i cili këto vite ato kanë devijuar vazhdimisht.
Devijimi më shqetësues, sipas Mehmetit, janë normat e larta të interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi shumëfish më të larta se nga ato që ishin paraparë në planet e biznesit.
“Bordi Ekzekutiv i BQK-së, duke u bazuar në kompetencat që i garanton neni 36 paragrafi 1, nënparagrafët 1.11 dhe 1.12, si dhe neni 67 paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe në pajtim me nenin 105, paragrafi 1, nënparagrafi 1.10 të Ligjit për Bankat, Institucionet Financiare dhe Institucionet Financiare Jobankare, ka vendosur që të revokojë regjistrimin dhe të inicojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar ‘Iute Credit Kosovo’ Sh. A. dhe për institucionin financiar jobankar ‘Monego'”.
“Mbi këtë bazë, BQK-ja kishte licencuar edhe dy institucionet e lartpërmendura, të cilat në dokumentacionin përmes të cilit kishin aplikuar dhe në bazë të të cilit i ishte dhënë licenca për të operuar në Kosovë, kishin ofruar planet e tyre se si planifikojnë ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre në Kosovë. Sidoqoftë, gjatë këtyre viteve të operimit në tregun tonë, këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit në bazë të të cilave kishin marrë licencat për të operuar në Kosovë, duke i sjellë kështu tregut tonë diçka tjetër prej asaj që kishin premtuar që do të sjellin”.
“Devijimi më i rëndësishëm dhe më shqetësues nga planet e tyre të biznesit, në bazë të të cilave kishin marrë licencën, ka të bëjë me normat e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi, të cilat kanë rezultuar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në dokumentacionin e aplikimit për kredi, i cili paraqet një element shumë të rëndësishëm në procesin e marrjes së vendimit për aprovimin e licencave për institucionet financiare”.
“Normat e interesit që kanë aplikuar këto institucione janë jashtë çdo standardi, qoftë nëse i krahasojmë me vetë projeksionet e këtyre institucioneve, qoftë në raport me normat e interesit në kredi që aplikohen nga institucionet tjera financiare në vend”.
Mehmeti ka shtuar se edhe përkundër insistimit që t’i adresojnë këto probleme, nuk ka pasur gadishmëri që t’i adresojnë.
“BQK-ja në vazhdimësi është përpjekur që përmes masave të parapara administrative të shtyjë këto institucione që t’i adresojnë këto probleme, por ato nuk kanë rezultuar të suksesshme për shkak të mosgatishmërisë s që t’i adresojnë këto probleme që t’i adresojnë këto probleme “.
“Po ashtu, më lejoni të theksoj se ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë që kemi edhe në raport me sigurinë kombëtare të vendit, prandaj ne mbetemi të përkushtuar që në kuadër të fushës sonë të përgjegjësisë, në bashkëpunim me të gjitha autoritetet tjera relevante, të mos lejojmë asnjë aktivitet që mund të cenojë sigurinë tonë kombëtare”.
Sokol Havolli, zëvendësguvernator në BQK-së, ka sqaruar se ka pasur mos përputhje të të dhënave para dhe mas marrjes së licencës sa i përket normave të interesit për kredi.
Havolli ka treguar se në planin e biznesit “Monego” kishte ofruar një normë të interesit prej 26% ndërsa “Iute Credit” prej 34%.
Bazuar në mostrën e kredive të ekzaminuara, sipas rregullores së BQK-së, norma efektive e interesit për kredi të caktuara te “Monego” ka arritur në 1987 % përderisa institucioni e ka shpalosur si normë e interesit prej 462%.
“Me rastin e regjistrimit pikat kyçe janë se në planin e pagesave nuk bëhet në pajtueshmëri me normat e BQK-së. Monego ka përllogaritur koston totale të përllogarisë. Rregullorja kërkon të jenë të paraqitura normat e interesit”.
“Norma efektive e interesit do të duhej të ishte në 845 për qind ndërsa në rastin tjetër institucioni e ka shpalosur si 308 për qind. “.
“Në planin e biznesit, norma efektive ka qenë 26.8 për qind me qëllim të marrjes së licencës. Kemi vërejtur se ka nënvlerësim dhe devijim”, tha Havolli.
Monego dhe Iute Credit Kosovo janë institucione financiare që ofrojnë kredi të shpejta konsumuese.
Në Kosovë operojnë 23 institucione mikrofinaciare, me 183 njësi në nivel vendi.
Norma mesatare efektive e interesit për kredi, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, është 20.3 për qind.