Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, i ka urdhëruar forcat e armatosura që të marrin pjesë në luftën kundër mijëra zjarreve që kanë shpërthyer në rajonin malor të Amazonës.
Me vendimin e presidentit autorizohet dërgimi i ushtrisë në zonat e rezervave natyrore, vendeve të paprekura dhe zonat kufitare të Amazonës. Njoftimi për këtë veprim erdhi pas presionit të madh nga udhëheqësit evropianë.
Bolsonaro i ka kritikuar reagimet e shteteve të tjera për zjarret në Amazonë, duke këmbëngulur se kjo fatkeqësi nuk mund të përdoret si pretekst për sanksione ndëshkuese ndaj vendit të tij.
Vendimi i tij për angazhimin e ushtrisë erdhi pas paralajmërimeve të Francës dhe Irlandës për ndërprerje të marrëveshjeve tregtare me vendet e Amerikës Jugore në rast të Brazili nuk merr më shumë masa për t’i luftuar zjarret në Amazonë.
Dyshohet se shumë zjarre janë shkaktuar me qëllim nga fermerët, të cilët mund të përfitojnë duke e rritur sipërfaqen e tokës së punueshme.
Vetë presidenti e ka përkrahur idenë për pastrimin e zonave të Amazonës për shfrytëzim në bujqësi ose miniera, ndonëse është ballafaquar me kritika të ashpra nga ekspertët, të cilët thonë se qeveria e tij ia ka dhënë dritën e gjelbër shkatërrimit të pyjeve, shkruan “BBC”.