Brazili ka thënë se do të dërgojë ndihmë humanitare në kufi me Venezuelën gjatë vikendit, pavarësisht pakënaqësive të shprehura nga presidenti i sfiduar i Venezuelës, Nicolás Maduro.
Zëdhënësi i presidencës braziliane, Otávio Régo Barros ka thënë se shpërndarja e dërgesave do të organizohet nga lideri i opozitës, njëherësh presidenti i përkohshëm, Juan Guaidó.
Barros ka thënë se në bashkëpunim me SHBA-në, ushqimet dhe ilaçet do të dërgohen në qytetin kufitar Pakaraima, për t’u shpërndarë më pas nga Guaido.
“Brazili është duke marrë pjesë në një iniciativë të rëndësishme ndërkombëtare për të mbështetur qeverinë e Guaidos dhe popullin e Venezuelës”, ka thënë ai.
Guaido ka thënë se 600,000 vullnetarë kanë njoftuar se do të ndihmojnë në shpërndarjen e ndihmave.
Megjithatë, Maduru mohon se Venezuela gjendet në krizë andaj thirrjet për operacione të ndihmave i ka cilësuar si shfaqje të orkestruar nga Shtetet e Bashkuara.
Ushtria e këtij shteti ka bllokuar dërgesat e nisura nga SHBA-ja, të cilat janë nisur përmes Kolumbisë, për banorët e Venezuelës.
Zyrtarët ushtarakë kanë rikonfirmuar mbështetjen për Maduron, pavarësisht thirrjeve të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për të kaluar në anën e Guaidos.
Ministri i Mbrojtjes së Venezuelës, Vladimir Padrino, ka thënë se çdo përpjekje për të krijuar një Qeveri të re do të bëhet “mbi trupat tanë të vdekur”.
Ai ka thënë se forcat e armatosura do të vazhdojnë të bllokojnë hyrjen e ndihmave të SHBA-së dhe shteteve të tjera që kanë njohur Guaidon si president të përkohshëm të Venzuelës.
Pakënaqësia në Venezuelë, ka shpërthyer si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike dhe dhunës, që kanë shtyrë miliona persona të largohen nga ky shtet.
Maduro ka qenë president i Venezuelës nga viti 2013, ndonëse vazhdimisht është përballur me kritika për udhëheqësinë e tij.
Megjithatë, ai së fundmi ka fituar sërish përkrahjen e Rusisë dhe Kinës, të cilat i kanë ndihmuar atij në mosfalimentimin e shtetit.