Shifra e përgjithshme e personave të infektuar me coronavirusin e ri në Brazil ka shkuar në mbi një milion të premten, ndërsa numri i viktimave në rreth 49 000.
Gjatë 24 orëve të kaluara, shteti më i madh i Amerikës Jugore i shënoi 1,206 të vdekur dhe 54,771 të infektuar. Shifra e personave të prekur ishte numri më i lartë ditor që nga fillimi i përhapjes së virusit, duke lënë të kuptohet se pandemia është larg fundit, shkruan “Reuters”.
Brazili është shteti i dytë në botë pas Shteteve të Bashkuara, si për numrin e infektimeve, ashtu edhe për shifrën e viktimave. Rastet e para në këtë vend u shënuan më 26 shkurt. Përhapja e sëmundjes e ka dobësuar përkrahjen për presidentin Jair Bolsonaro dhe ka ngjallur frikë për kolaps të ekonomisë.
Sipas shumë ekspertëve, numri i vërtetë i rasteve mund të jetë shumë më i lartë se shifrat zyrtare për shkak të mungesës së testimit masiv të popullsisë.
“Numri prej një milion është shumë më pak se numri i vërtetë i njerëzve që janë infektuar, sepse ka mungesë të raportimit të shkallës prej 5 deri në 10 herë më pak”, tha Alexandre Naime Barbosa, profesor i mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Sao Paulos.
Coronavirusi besohet të ketë arritur në Brazil fillimisht përmes turistëve të pasur që ktheheshin në atdhe nga vendet evropiane. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se virusi tash është përhapur në 82 për qind të komunave të vendit.