Brenda 10 ditësh shpallet konkursi për drejtor të Bordit të Sigurimeve Shëndetësore

Prishtinë | 05 Maj 2018 | 09:21 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas emërimit ditë më parë nga ana e Qeverisë së Kosovës, bordi i Sigurimeve Shëndetësore ka mbajtur takimin e parë, mirëpo ky bord nuk ka kryetar.

Ministri i Shëndetësisë (MSh), Uran Ismaili, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se konkursi për këtë pozitë do të shpallet brenda 10 ditësh.

“Bordi i Sigurimeve Shëndetësore veç e ka mbajtur takimin e parë dhe ka qenë në pajtueshmëri që kjo duhet bërë sa më shpejtë. Pra, konsideroj që brenda 10 ditëve të ardhshme do të dal një konkurs i cili do të shpall pozitën për drejtorin e bordit”, ka thënë ai.

Sipas Ismailit në krye të bordit duhet të vendoset një njeri profesional i cili duhet të udhëheq fondin e Sigurimeve Shëndetësore, raporton Ekonomia Online.

“Natyrisht kjo është e rëndësishme sepse ne kemi pasur disa lëvizje aty dhe është koha që të gjendet një njeri profesional i cili ta ketë mandatin e qartë dhe të plotë për të ta udhëhequr fondin e Sigurimeve Shëndetësore”, ka shtuar Ismaili.

Sipas vendimit të Qeverisë ka këtë përbërje: Naim Bardiqi nga ministria e Shëndetësisë; Xhevat Zejnullahu nga ministria e Financave; Izedin Bytyqi nga ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale; Rrezart Halili nga Oda e Mjekëve të Kosovës; Naim Ismaili nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Muhamedali Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës.

Ismaili ka deklaruar se mbledhja e premiumeve do të fillojë vetëm pas një viti e gjysmë, pasi për këtë duhet të plotësohen disa parakushte.

Para se ky proces të fillojë, Ismaili ka thënë se për qytetarët duhet të ofrohen shërbime më të mira shëndetësore.

“Për Sigurimet Shëndetësore duhet të plotësohen parakushtet, jemi në përfundim të tyre. Premiumet duhet të mblidhen atëherë kur me të vërtetë kemi çfarë t’u japim qytetarëve. Pra, unë konsideroj që brenda një viti e gjysmë do të kemi Sigurime Shëndetësore, mirëpo nuk jam i interesimit që të fillojmë me mbledhjen e premiumeve e nuk iu ofrojmë qytetarëve atë që kanë nevojë, siç janë barnat jashtë spitalore ose shërbime shëndetësore më të mira. Brenda një viti e gjysmë do të kompletojmë të gjitha procedurat, por edhe shërbimet dhe pastaj do të jemi në gjendje të mbledhim edhe premiumet”, ka thënë Ismaili për EO.

Sipas Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, çdo i punësuar do të paguajë 16 euro për fondin për sigurimet shëndetësore, të njëjtën shumë do ta paguajë edhe punëdhënësi.

Ata që nuk janë të punësuar dhe ata që punojnë në kompanitë e mesme e të vogla, do të paguajnë nga 2 euro për secilin anëtar të familjes.

Për sëmundjet që kanë kosto mbi 30 mijë euro dhe që duhet të trajtohen jashtë vendit, Sigurimi Shëndetësor do t’i mbulojë 70% të shumës.

Shërbime që nuk ofrohen në institucionet shëndetësore publike, qytetarët do të kenë të drejtë të drejtohen te institucionet private.

Familjet me asistencë sociale do të jenë të liruar nga pagesa, ndërsa për studentët, pensionistët dhe ata që janë nën 18-vjeç, do të paguajnë familjarët e tyre.

Të ngjashme