Britania gati për ta filluar dhënien e vaksinës

Prishtinë | 11 Nën 2020 | 08:17 | Nga Ekonomia Online

Britania e Madhe është gati të fillojë vaksinimin kundër koronavirusit në momentin që sigurohet vaksina eventuale kundër COVID-19, ka bërë të ditur sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock.

I pyetur nëse ka mundësi që të jetë në dispozicion për Krishtlindje, ai ka thënë se “absolutisht është e mundshme” – por ai pret shpërndarje masive “në pjesën e parë të vitit tjetër”.

Hancock ka thënë se klinikat e vaksinimit do të jenë të hapura shtatë ditë të javës dhe se mjekët do të marrin 150 milionë funta shtesë.

Kërkohet durim

Por ai i udhëzon njerëzit që të jenë të durueshëm.

“Thjesht nuk e dimë se sa njerëz do të kenë nevojë të vaksinohen para se jeta të jetë përsëri normale”, ka shtuar Hancock.

Ai gjithashtu ka thënë se testet e reja të shpejta – rezultatet e të cilave dalin para më pak se një ore – do të jenë në dispozicion përreth 66 zonave lokale, pasi që janë përdorur masivisht në studimet testuese në Liverpool.

Kjo vjen pasi grafika shfaqi se numri i njerëzve që po vdisnin vazhdoi të jetë mbi nivelin normal për këtë kohë të vitit, me 1,597 vdekje ku në certifikatat e vdekjes përmendej COVID-19 në javën e fundit të tetorit – 1,126 që ishin javën e kaluar.

Të hënën, rezultatet e hershme të vaksinës së parë në botë, që është efektive ndaj koronavirusit, treguan se mund ta parandalonte infektimin me COVID të 90 për qind të njerëzve.

Vaksina – e quajtur vaksina RNA – është krijuar nga kompanitë farmaceutike “Pfizer” dhe “BioNTech” dhe është një nga 11 vaksinat që tashmë janë në fazat e fundit të testimeve.

Kompanitë tani planifikojnë të aplikojnë për miratim emergjent për ta përdorur vaksinën në fund të nëntorit – dhe një numër i kufizuar i njerëzve do të mund ta marrin vaksinën këtë vit.

Mbretëria e Bashkuar tashmë ka porositur 40 milionë doza – të mjaftueshme për t’i vaksinuar mbi deri në 20 milionë njerëz, pasi çdo person do të ketë nevojë për dy doza në mënyrë që të jetë e efektshme.

Por Boris Johnson ka paralajmëruar njerëzit që “të mos varen te këto lajme si zgjidhje”, pasi që ende është në “ditët tepër, tepër të para”.

Duke iu drejtuar ministrave të martën, Hancock ka thënë: “Ende nuk e dimë nëse apo kur do të pranohet një vaksinë, por e kam udhëzuar Shërbimin Kombëtar të Shëndetit që të jetë gati pas 1 dhjetorit”.

Më herët, ai ka thënë në emisionin BBC Breakfast: “Ne ende bëjmë thirrje këtë mëngjes që njerëzit të jenë të durueshëm, së pari t’i zbatojnë rregullat e tanishme, për shkak se kjo sëmundje ende është vdekjeprurëse dhe ende s’ka përfunduar.

“Edhe kur nis përdorimi i vaksinës, ende duhet të kemi kujdes, duhet të kujdesemi për komunitetin tonë dhe duhet t’i zbatojmë rregullat dhe të jemi të kujdesshëm ta ndalim shpërndarjen e virusit.

“Shërbimi Kombëtar i Shëndetit është gati, ne jemi përgatitur, kam vendosur një shumë shtesë prej 150 milionë funta sot, mjekët janë gati, jemi duke punuar me farmacistët, spitalet do ta luajnë një rol shumë të rëndësishëm”, ka thënë ai.

Operacion i madh


I pyetur se sa njerëz do të duhet të vaksinohen para se t’i kthehen jetës normale, ai ka thënë: “Përgjigjja për këtë pyetje është se ende nuk e dimë.

“Pra, studimet kanë treguar se nëse vaksina është e sigurt klinikisht dhe nëse është efektive për ta mbrojtur një njeri nga sëmundja. Atë që nuk e dimë, derisa ta kemi vaksinuar një pjesë të caktuar të popullsisë, është se sa shumë e ndal bartjen e sëmundjes”.

Hancock ka thënë për programin “Today” në BBC Radio 4 se do të jetë një “operacion logjistik vigan” dhe ka vënë në pah disa sfida, përfshirë transportimin nga Belgjika në Mbretërinë e Bashkuar përderisa temperatura ruhet në -70 gradë dhe nuk ndryshon më shumë se katër herë.

Banorët e shtëpive të pleqve dhe stafi janë në krye të listës nga këshilltarët shkencorë të qeverisë, të cilët duhet të imunizohen të parët, më pas edhe punëtorët shëndetësorë.

Hancock ka thënë se stafi i Shërbimit Kombëtar të Shëndetit do të shkojë në shtëpitë e kujdesit për t’i vaksinuar banorët, po ashtu edhe për të rregulluar vendet për vaksinim. Fëmijët nuk do të vaksinohen, ka thënë ai.

Prof. Sir John Bell nga Universiteti i Oksfordit ka thënë: “Do të shqetësohesha nëse nuk do ta merrte një përqindje sa më e madhe e popullsisë përderisa mundemi”.

“Mendoj se kemi nevojë ta vaksinojmë popullsinë dhe t’i vaksinojmë edhe të rinjtë, për shkak se nuk është se e dimë se cilat janë efektet negative të kësaj sëmundjeje”.

Vaksina nuk do të jetë e gatshme për përdorim derisa t’i kalojë testet e fundit të sigurisë dhe ta marrë dritën e gjelbër nga Agjencia Rregullatore.

Rekomandimi për mjekët

Mjekëve iu është thënë që të përgatiten për t’ua dhënë pacientëve dy doza të vaksinës – që do të dërgohen mes 21 dhe 28 ditësh – gjatë kësaj kohe klinikat do të punojnë nga ora 08:00 deri në orën 20:00, shtatë ditë të javës, ka thënë BMA-ja, që i përfaqëson mjekët në Mbretërinë e Bashkuar.

BMA-ja ka thënë se, për shkak të pajisjeve logjistike dhe transportuese, ka gjasa që grupet e mjekëve do të duhet të punojnë së bashku me një “rrjet vaksinor”.

Dr. Richard Vautrey, kryetar i komitetit të mjekëve në BMA në Angli, ka thënë se mjekët dhe infermierët kanë “një rekord të dëshmuar të fushatave masive për imunizim” dhe janë njerëzit e duhur për ta udhëhequr këtë detyrë, sapo që vaksina kundër koronavirusit është në dispozicion.

Vaksina kundër COVID-it është vaksina më e shpejtë që ka shkuar nga tabela e planifikimit deri te efektiviteti i lartë i dëshmuar.

Por prof. Adam Finn, nga Universiteti i Bristolit, ka thënë se ka qenë e rëndësishme që të bëhet e qartë se shumica e rasteve me COVID në studimin e vaksinës ishin me gjasë raste relativisht të lehta – dhe se është “një hap besimi” për t’i siguruar se do të parandalojë që edhe të moshuarit të sëmuren rëndë me këtë virus apo edhe të vdesin.

“Por, mendoj se duhet ta marrim atë hap besimi, ai është prova se kemi ardhur në këtë pikë dhe 90 për qind është goxha mirë”, ka thënë ai në programin “Today” të BBC Radio 4. “Ka shumë të ngjarë që nëse është më pak efektive te të moshuarit sesa te të rinjtë, prapëseprapë do të funksionojë te shumica”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme