Britania do të mbyllë të gjitha korridoret e udhëtimit nga e hëna për t’u mbrojtur nga rreziku i varianteve të reja të COVID-19.
Çdokush që do të hyjë në vend do të duhet të ketë një test negativ të virusit.
Kjo masë vjen pas asaj të ndalimit të udhëtarëve nga Amerika Jugore dhe Portugalia për shkak të shqetësimeve për një variant të ri i identifikuar në Brazil, raporton BBC.
Kryeministri britanik Boris Johnson tha se masat e reja do të jenë në fuqi deri më 15 shkurt. Ai shtoi se masa të reja janë thelbësore tani kur po identifikohen variante të reja të koronavirusit.
Të premten, në Britani u regjistruar 55,761 të infektuar, ndërkaq deri tash në botë kanë vdekur më shumë se 2 milionë njerëz.