Britania shënon 252 të vdekur nga Coronavirusi për 24 orë

Prishtinë | 09 Maj 2020 | 16:04 | Nga Ekonomia Online

Gjatë 24 orëve të kaluara, në Britani të Madhe nga koronavirusi kanë vdekur 252 persona. Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 31,493.

Në Angli u shënuan 207 të vdekur, në Skoci 36 dhe në Uells nëntë. Irlanda Veriore pritet t’i publikojë të dhënat më vonë gjatë ditës.

Mijëra britanikë i kanë injoruar thirrjet për të qëndruar në shtëpi, duke ua mësyrë dyqaneve dhe parqeve në temperaturën që arriti deri në 26 gradë.

Gjendja e vërtetë e pandemisë në vendin ishullor vazhdon të mbetet e panjohur për shkak të vendimit kundërthënës të ministrave britanikë që ta shmangur testimin masiv në fazën e hershme të përhapjes.

Një epidemiolog i njohur tha të premten se dy të tretat e rasteve në Britani nuk janë të diagnostikuara për shkak se qeveria po refuzon t’i njohë simptomat si humbja e aftësisë për t’i dalluar shijet dhe aromat, të cilat në shtete të tjera si ShBA-ja njihen si shenja të infektimit.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, pritet që gjatë një fjalimi të dielën të njoftojë për lehtësimin e masave kufizuese, ndonëse ka paralajmëruar se dalja e njerëzve jashtë gjatë motit me diell mund të zhbëjë gjithçka që është arritur deri më tani në luftën kundër pandemisë.

Sidoqoftë, ai u akuzua për dërgim të përzier të porosive pasi vetë u pa duke shëtitur nëpër parkun “St James” në Londër, shkruan “Daily Mail”.

Të ngjashme