Brukseli i përkrah reformat e Shkupit. Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn nuk e fsheh optimizmin për zhvillimet në Maqedoni, e gjatë ndalesës në kryeqytetin maqedonas është shprehur mjaft i kënaqur me klimën e krijuar lidhur me perspektivën integruese të vendit.
“Rekomandimi për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE është ngushtësisht i lidhur me dinamikën e realizimit të reformave të deklaruara”, deklaroi komisioneri.
Brukseli kërkon konsensus të gjithanshëm për procesin integrues, por edhe përqëndrim të posaçëm në realizimin e detyrave kryesore për zbatimin e reformave prioritare.
“Ekspertët e BE-së do të jenë këtu që nesër, për të ofruar ndihmën e tyre në këtë proces”, ka premtuar Hahn.
Shefi i ekzekutivit maqedonas i prezantoi zyrtarit të lartë europian një planveprimi për zbatimin e reformave, që burojnë nga marrëveshja e Përzhinës dhe raporti i Reinhard Priebe.
Ky dokument do të jetë gati deri më 1 korrik, pas takimit me grupin e ekspertëve të pavarur nga Brukseli.
“Qëllimi ynë është që KE t’i japë Maqedonisë vlerësim pozitiv në progresraportin për vendin në vjeshtë, si dhe të propozojë rekomandim të pastër, të pakushtëzuar për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE”, tha Zaev, duke shtuar se qeveria e tij ka marrë një angazhim serioz përballë Bashkimit Europian, por edhe para vetes, se Republika e Maqedonisë dhe qytetarët e saj meritojnë t’i bashkohen botës së civilizuar demokratike, nga e cila kishte mbetur larg, shkruan tch.
Zaev shtoi se reformat do të jenë gjithëpërfshirëse, ndërsa kërkoi edhe ndihmën e fqinjit jugor, Greqisë, që të tregohet më tolerante dhe t’i hapë rrugën Maqedonisë në procesin e integrimit.