Brutalizmi i Jugosllavisë frymëzon brezin e ri

Prishtinë | 30 Jan 2019 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Beograd, 30 janar – “Zastava 101” nxit shoferët të shtypin sirenën derisa përshkon bulevardet e Beogradit të ri. Shenjë afrie për një makinë klasike, asi që nxit modeli origjinal “Volkswagen Beetle”? Nuk ma merr mendja.

“Po shtypin sirenën se po shkon ngadalë”, thekson Natalija Ugljevareviq, 23-vjeçarja në timonin e një makine të njohur më fort si “Yugo”.

Prodhuar më 1971, modeli ka vite dyfish më shumë se timonierja. Dhe megjithëse makina popullore e epokës së Titos ka enterier që të habit, nuk është ikonë dizajni.

Por Natalija po bën një “YugoTour”. Makinës dhe pamjes së Beogradit të ri u ka ardhur përfundimisht dita, derisa blloqet e betonta po shënojnë njohje ndërkombëtare për shkak të kontributit të tyre dizajnit urban, shkruan sot Koha Ditore.

“Drejt Utopisë së Betontë”, ekspozitë e arkitekturës jugosllave socialiste, ka përfunduar ekspozimin gjashtëmujor në Muzeun e Artit Modern në New York.

Dhe interesimi në ngritje për shkollën brutaliste të arkitekturës po e kthen Beogradin e ri në Mekë për ndërgjegjen e betonit të gjallë.

Guidat “YugoTour” kanë ardhur në kohën e duhur për të përfituar prej kërkesës për të mësuar më shumë për shumë “blloqe”, që ende rehatojnë më shumë se 250 mijë banorë.

“Kam studiuar arkitekturën dhe kam parë ndërtesat në njërën prej ligjëratave të mia, kështu që vendosa të vija dhe ta vizitoja”, thekson Perry Li, i cili është nga Kina, por ka ndjekur studimet universitare në Britani. Ai tani po i shikon pikat më të ndritura të Beogradit të ri prej dritares së “Zastavës”.

“Shumë prej ndërtesave janë shumë të mëdha dhe më duken të fuqishme. Unë dua gjithashtu të mësoj më shumë për historinë e tyre”.

Mareshali Josip Broz Tito ndërtoi një Jugosllavi socialiste autoritare pas Luftës së Dytë Botërore. Federata u prish pas shpërthimit të konfliktit në vitet nëntëdhjetë.

Natalija duhet t’i thyejë goxha shumë duart derisa e parkon makinën përballë Portës Perëndimore të Qytetit.

Pranë autostradës që zgjatet nga Zagrebi dhe aeroporti, kullat e saj të lidhura supozohej se do të frymëzonin frikë e nderim për të porsaardhurit në kryeqytetin e Jugosllavisë së atëhershme.

Ishte kurorëzim lavdie e arkitekturës titiste kur ishte kryer më 1980. Por tani është në gjendje për keqardhje. Kulla që dikur ishte seli e kompanisë shtetërore “Genex”, tashmë është e thatë. Edhe restoranti në krye të saj u mbyll para një dekade.

Kulla e banimit është ende shtëpi për qindra banorë – dhe pamja kah Danubi dhe Sava është e mrekullueshme. Por ana ballore është mbushur me grafitë, barishte dhe me tjegulla të thyera.

Është vetëm një mikrokozmos i sfidës me të cilën po përballet Beogradi i ri. Në kohën kur po përjeton valë të vëmendjeve ndërkombëtare pozitive, po shemben objektet e tij prej betoni.

“Ajo me të cilën po përballemi është mungesa e mirëmbajtjes të asaj hapësire të mirë, gjë që është për keqardhje”, thekson Danica Jovoviq Prodanoviq, bashkëthemeluese e Javës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Beograd.

“Cilësia e dizajnit urban të Beogradit të ri dhe vendbanime sociale ishin larg në gjendje më të mirë sesa tani. Është shumë me rëndësi për ne të njohim vlerën e kësaj trashëgimie – nuk është vlerësuar sa duhet, dhe ne duhet ta ruajmë”.

Në “Yugo”, Natalija na shpie nga njëri prej shembujve më të mirë: Fshatin brenda qytetit të Bllokut 23, ku ndërtesat rrethoheshin me hapësira të gjelbra, një qendër sportesh, një kopsht dhe një shkollë – dhe damka e reputacionit të Beogradit të ri si xhungël e betonit.

“Ky është një vend për të jetuar, për relaksim, shkolla – pastaj kemi edhe hapësirën e gjelbër. Këtu ndiheni i mbrojtur, fëmijët luajnë sigurt”, thekson ajo.

Në mesin e ndaljeve të radhës përfshihet edhe “Sava Centar” spektakolare, qendra e madhe për performanca dhe konferenca që duket se dizajnin e brendshëm e kishte bazuar në fantashkencë, të përzier me stile klasike dhe moderniste.

Dhe mund të kridheni tërësisht në dizajnin e epokës titiste shkoni në “Yugodom”.

Ky “muze i gjallë” është aktualisht apartament në qytetin e vjetër të Beogradit, dekoruar bujshëm me të gjelbër dhe portokalli. Mysafirët mund të kthehen në kohë nëpërmjet orendive të viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë – prej telefonit portokalli të prodhuar nga “Iskra” deri te televizorët me korniza druri te “Elektroindustrija”.

Pronari Mario Milekoviq thotë se kjo është një mundësi për të parë cilësitë e dizajnit jugosllav.

“Para se të vijnë, njerëzit mund t’i hedhin një sy uebfaqes tonë dhe mendojnë se orenditë e këtushme janë prodhuar në Danimarkë. Pastaj e marrin vesh se janë prodhuar në Jugosllavi – dhe se ne kishim dizajn modern të gjysmës së shekullit të kaluar”.

Janë bërë pothuajse tridhjetë vjet prej fillimit të prishjes së dhunshme të Jugosllavisë.

Atëherë dukej se idealet që përshkuan shekullin mund të hiqeshin qafe për mirë – jo vetëm pansllavizmi, por edhe vizion utopik se si gjithnjë e më shumë njerëz do të mundë të jetonin në zona urbane.

Por mbase suksesi i bizneseve, si “YugoTour” dhe “YugoDom”, sugjerojnë se ky dizajn mund të ofrojë njëfarë frymëzimi – nëse jo edhe të japë përgjigjet – për ata që mundohen t’u bien në fije mëdyshjeve të jetës së qytetit modern. BBC.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme