Bullgaria ia ka dalë të fitojë vetëm një pikë në ndeshjen hapëse të saj në eliminatoret për “Euro 2020” dhe atë me ndihmë të madhe të arbitrit. Të premten Bullgaria luajti 1:1 me Malin e Zi në Sofje, ndërsa golin e shënoi nga një penallti që nuk ekzistoi fare.
Bullgarët të dielën kanë udhëtuar për në Prishtinë, ku të hënën (sot) nga ora 20:45 luhet ndeshja me Kosovën, shkruan sot “Koha Ditore”. Bullgarët kanë stërvitur në qendrën e tyre stërvitore në Sofje para udhëtimit për në Prishtinë dhe nuk kanë pasur stërvitje në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, ku zhvillohet ndeshja.
Seleksionuesi i Bullgarisë, Petar Hubchev ka thënë se kjo është një praktikë e zakonshme, pa i kushtuar shumë rëndësi këtij detaji. Ai, njëjtë si seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes, është shfaqur i matur në konferencë për shtyp.
Nuk ka dhënë fjalë të mëdha dhe nuk ka pranuar të parashikojë favoritin e ndeshjes Kosovë – Bullgari. Bullgarisë i mungojnë tre lojtarë të rëndësishëm në ndeshjen ndaj Kosovës, ndërsa i fundit prej tyre është lënduar ndaj Malit të Zi.