Bullgaria, e cila ka filluar të lehtësojë masat e izolimit, ka hequr një ndalim të hyrjes së vizitorëve nga vendet e Bashkimit Evropian dhe atyre të zonës Shengen, tha ministria e Shëndetësisë bullgare.
Në mes të muajit mars, vendi anëtar i Bashkimit Evropian, ndaloi hyrjen për udhëtarët nga shumë vende, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
Ministria e Shëndetësisë tha se heqja e ndalimit përfshin gjithashtu: San Marinon, Andorrën, Monakon dhe Qytetin e Vatikanit.
Ministria tha se “njerëzit që vijnë në Bullgari do të vazhdojnë të kalojnë 14 ditë në karantinë”.
Por, periudha 14-ditore nuk do të zbatohet më për qytetarët bullgarë dhe qytetarët e vendeve të tjera të BE-së që udhëtojnë për arsye humanitare dhe ata që janë “përfaqësues të veprimtarive tregtare, ekonomike dhe investuese”.
Të martën, Bullgaria tha se kishte rënë dakord me Greqinë dhe Serbinë fqinje për të lehtësuar disa kufizime të udhëtimit.
Ekonomia e Bullgarisë është në masë të madhe e varur nga turizmi.
Numri i rasteve të reja me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri ka pësuar rënie.
Bullgaria deri më tani ka regjistruar 2.331 raste të infektuarve me koronavirus dhe 120 vdekje.