Gratë kosovare shpesh trokasin në dyert e Policisë për të kërkuar ndihmë si pasojë e dhunës që përjetojnë kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje pasdite në fshatin Kuvcë e Epërme në Novobërdë, ku një 26-vjeçare ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj dhe babai i tij, respektivisht vjehrri.
Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur në shtëpinë e familjes, ku pas një fjalosjeje, dy të dyshuarit kanë sulmuar të renë duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.
Për shkak të lëndimeve të marra si pasojë e dhunës, 26-vjeçarja ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Me vendim të prokurorit, ndaj dy të dyshuarve është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.