Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti sot në takim, ish zv. Kancelarin e Austrisë, Erhard Busek, mikun e shquar të Republikës së Kosovës, dhe me këtë rast, u diskutuan të arriturat dhe sfidat e procesit integrues. Në takim mori pjesë edhe Ambasadori Gernot Pfandler, eurodeputeti Lucas Mandl, dhe kryetarja e miqësisë Austriake-kosovare në Parlamentin austriak, deputetja Carmen Jeitler-Cincelli.
Ministrja Hoxha vlerësoi dhe çmoi lart kontributin e Busek për Republikën e Kosovës, dhe miqve tjerë nga Austria, duke qenë një nga zërat më të fuqishëm jo vetëm të shtetësisë së Kosovës, por edhe avancimit të proceseve shtetndërtuese dhe integruese në nivel rajonal dhe global.
“Busek, të arriturat e vendit tonë, do t’i atribuohen edhe përkushtimit Tuaj dhe vendit Tuaj që përbën vlerë të çmueshme të shtetit dhe shtetësisë tonë. Ne kemi të arritura në proces, por edhe sfida.
Ne kemi marrë përsipër zbatimin e MSA-së dhe Agjendën e Reformave Evropiane të cilat do të sjellin nivel të ri të shtetësisë tonë dhe cilësisë së jetës për qytetarët tanë”, theksoi Ministrja Hoxha, e cila vlerësoi se liberalizimi i vizave, do ta lehtësonte dhe do të kontribuonte në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë.
Busek, vlerësoi të arriturat e Kosovës në këtë 10 vjetor të pavarësisë, duke theksuar se procesi integrues kërkon vendosmëri për fuqizimin e zbatimit të ligjit, fqinjësi të mirë dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Në këto sfida, qëndrojmë pranë jush fuqishëm dhe të vendosur për arritjen e aspiratave tuaja integruese.