Ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati foli ekskluzivisht për televizionin grek “Antena TV” pak ditë pas përfundimit te takimit te Korçës. Ai nuk e fshehu “dashurinë” për Greqinë, por nuk mohoi as marrëdhënien strategjike me Turqinë.
“Kam studiuar në Greqi, kam kaluar një vit në Athinë dhe kam kujtime të mira nga Athina. Kam miq të mirë jo vetëm në politikë, por edhe në shoqërinë civile dhe akademike. Nuk kam studiuar në Turqi, por them se kemi gjithashtu marrëdhënie të mira dhe strategjike me Turqinë” – tha Bushati.
I pyetur për debatet në lidhje me emrin e Maqedonisë ai thotë se kjo çështje duhet zgjidhur me konsensus.
“Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët që të ecin përpara per zgjidhje. Të dy vendet do të përfitojnë nga zgjidhja me kompromis në këtë drejtim dhe mendoj të njëjtën gjë për të gjithë rajonin. Ne i kushtojmë një kujdes të veçantë kësaj çështjeje pasi atje ka shqiptarë që jetojnë”.
Sa i përket çështjes së Kosovës, Bushati thotë se ajo duhet të njihet nga Greqia.
“Pavarësisht se ku jetojnë shqiptarët në Ballkan, ata kanë dëshmuar në të kaluarën se janë element vitalë të stabilitetit demokratik dhe perspektivës Euro-Atlantike në rajonin tonë. I vetmi frymëzim që shqiptarët kanë është i lidhur me këtë proces, me integrimet euro-atlantike. Nuk I takon qeverisë shqiptare të flasë për shembull për marrëdhëniet mes Greqisë dhe Kosovës. Natyrisht, ne do të mirëprisnim dhe kërkojmë njohjen nga Greqia të Kosovës si shtet, sepse ne do ta shihnim këtë si një hap në drejtimin e duhur dhe si një investim për stabilitetin e rajonit tonë (fqinjëve tanë)” – e mbyll Bushati.