Ngritja e mureve ndarëse në veriun e Kosovës dëmton aspiratat evropiane, kërcënon stabilitetin e rajonit dhe bie ndesh me interesat e përbashkëta. Andaj njohja sa më parë e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është me rënësi për stabilitetin dhe për integrimin evropian të dy shteteve.
Këto komente i ka bërë ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, në vazhdimin e punimeve të Konferencës së katërt të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ai ka theksuar se në kuadër të procesit të Berlinit, Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve me Serbinë dhe krijimin e një klime të mirëbesimit për bashkëpunimin rajonal.
Në mbështetje të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, ai ka thënë se do të kërkojnë nga Serbia që të respektojë marrëveshjet e arritura, të mos pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në organizata rajonale dhe të inkurajojë komunitetin serb që të marrë pjesë në institucionet legjitime të saj.
Po ashtu, ai ka theksuar se nënshkrimi i marrëveshjes që i mundëson Kosovës pjesëmarrjen në programin e BE-së përbën një hap tjetër cilësor drejt afrimit në familjen evropiane.
“Në gjithë këtë proces, Kosova do të vazhdojë ta ketë mbështetjen vëllazërore, të gjithanshme dhe të pakursyer të Shqipërisë, që nga liberalizimi i vizave e deri tek marrëdhënia e institucionalizuar në NATO. Mbështetja që Shqipëria i jep në përmbushje të aspiratave euroatlantike të Kosovës përbën një prej shtyllave të partneritetit strategjik të dy vendeve tona për interesa tona të përbashkëta”, tha ai.
“ Janë evidentuar shumë fusha që dy vendet janë komplementare si: Energjia, turizmi, bujqësia, janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për heqjen e barrierave të shkëmbimeve tregtare, shtimin e pikave të kalimit kufitar në mënyrë që të nxiten marrëdhëniet në të gjitha fushat”, ka theksuar Bushati, duke shtuar se bashkëpunimi i strukturuar po jep frytet e para gjë që reflektohet edhe në rritjen e shkëmbimeve tregtare në vitet e fundit.
Bushati ka thënë se së shpejti pritet dhënia në funksion e një pike doganore Kosovës në Portin e Durrësit që do të krijojë lehtësia të mëtejshme në shkëmbimin e mallrave.
“Partneriteti ynë strategjik i shërben shndërrimit të rajonit tonë nga një hapësirë e fragmentarizuar dhe e pabarabartë në një rajon të vërtetë nga pikëpamja ekonomike dhe politike”, ka thënë Bushati.
Duke folur për marrëdhëniet e shqiptarëve ai ka thënë se rreziku i ngrirjes së proceseve demokratizuese dhe shtetndërtuese nuk ndihet më shumë se sa në Maqedoninë fqinje.
Bushati theksoi se konteksti më i gjerë rajonal kërkon që “Shqipëria dhe Kosova të mbështesin çdo përpjekje që do të sillte qeverinë e re në Maqedoni, më pranë interesave të shqiptarëve të Maqedonisë, më pranë perëndimit, më pranë stabilitetit demokratik, më pran fqinjësisë së mirë”.
“Ne kemi kërkuar nga partitë politike shqiptare në Maqedoni kapërcimin e një liste çështjesh në interes të veçantë kombëtar në përputhje me marrëveshjen e papërmbushur të Ohrit dhe në Kushtetutën e Maqedonisë.
“Kjo na jep shpresë se shqiptarët mund të bëhen faktor stabiliteti në vendin ku ata jetojnë duke ndihmuar zgjidhjen e problemeve dypalëshe me fqinjët si intensifikimin e problemeve në proceset euroatlantike”, ka thënë Bushati.