Figura e gjuhëtarit të njohur shqiptar, Eqrem Çabej, është përjetësuar edhe në bustin në qendër të Tiranës, i përuruar të hënën. Ka zënë vend në afërsi të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe është vepër e skulptorit të njohur Hektor Dule.
Skulptori e ka njohur nga afër gjuhëtarin dhe për ta hedhur në bronz njeriun e mençur, që dijen ia kushtoi gjuhës shqipe, artisti kaloi në një proces të gjatë analize mbi atë që përfaqëson Çabej në shkencat albanologjike, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Ka qenë mbresa e një momenti kur unë flisja dhe ai dëgjonte me dorën kështu (të vendosur në mjekër)”, ka treguar skulptori Dule.
Në zbulimin e bustit ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Gjatë fjalës së tij me këtë rast, kryeministri e ka vlerësuar lart autorin e kësaj vepre, skulptorin Hektor Dule i cili, sipas tij, ia ka dalë ta skalitë për përjetësinë atë që do të ishte e pamundur të përmblidhej në një fjali, apo në një paragraf, atë që Eqrem Çabej la jo vetëm si gjurmë, por edhe si frymë. Rama si artist e ka vlerësuar veprën duke e krahasuar mjeshtërinë e Hektor Dules me atë të Odhise Paskalit në bustin e Naim Frashërit.