Dy miliardë euro pritet të jetë buxheti i Kosovës për vitin 2017, apo rreh 320 milionë euro më i lartë se buxheti i këtij viti.
Gjatë prezantimit të Kornizës së përgjithshme të buxhetit për vitin e ardhshëm, ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka treguar se rritja kaq e madhe e Buxhetit shkon kryesisht për investime kapitale, deri në 51 për qind, dhe jo për shpenzime koherente ose për shpenzime të tjera.
Buxheti i shtetit për vitin 2017,ka thënë Hoti, është buxhet i realizueshëm, i qëndrueshëm, i cili ruan stabilitetin fiskal.
Ndërkaq, ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, japin vlerësime të ndryshme rreth qëndrueshmërisë së buxhetit, por pranojnë se vlera prej dy miliardë eurosh është premtuese, për një përmirësim të mundshëm të zhvillimit ekonomik.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se nëse do të ketë një përfshirje të të gjitha institucioneve relevante dhe sundim të rendit dhe ligjit, shifra prej 2 miliardë eurosh do të arrihet, por edhe do të tejkalohet.
Por, për gjithë këtë, Gërxhaliu ka thënë se nevojitet disiplinë financiare, ndalje të tenderomanisë masive dhe mbi të gjitha luftë kundër ekonomisë joformale dhe evazionit fiskal.
“Dhe, kur i shtohet edhe vetë fakti se do të punohet më tepër në përmirësimin e imazhit, duke mbështetur sektorin privat dhe motivuar diasporën, besoj se janë trendë që duhet të mbështetën dhe jo vetëm të kritikohen. Prandaj, besoj se nëse do të ketë një gatishmëri të të gjithë aktorëve, në veçanti sundim të rendit dhe ligjit, atëherë buxheti do të jetë i realizuar”, është shprehur Gërxhaliu.
Në anën tjetër, drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se Ministria e Financave nuk ka dhënë shumë detaje rreth buxhetit.
Por, megjithatë, sipas tij, shifrat e përmendura janë ambicioze. Buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm, ka deklaruar Rexhepi, përmban premisa zhvillimore dhe minimizim të ndikimit të skemave sociale.
Kurse, shprehet me rezerva se vlera e buxhetit mund të ndikojë në rritje të qëndrueshme ekonomike dhe të krijojë vende të reja të punës.
“Do të ishte e dëshirueshme që kjo normë, megjithatë të realizohet edhe pse nuk paraqet ndonjë zgjidhje për problemet sociale, çështjen e punësimit, meqenëse shifra prej 4.5 për qind e mban një nivel të kënaqshëm, por jo që i zgjidh problemet”, ka thënë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.
Korniza e buxhetit për vitin 2017, është e balancuar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike. Ai konsideron se me vetë faktin se ka rritje të vlerës për investime kapitale, mund të ketë edhe gjenerim të vendeve të reja të punës.
“Projektet publike, zakonisht gjenerojnë vende pune dhe krijojnë parakushte për rritjen e vendeve të punës për vitet e ardhshme. Kosova fatkeqësisht në të kaluarën, zakonisht ka pasur rritje të buxhetit për paga dhe mëditje të pakontrolluara, të cilat në fakt e kanë sjellë Kosovën edhe në largimin për katër pesë vjet nga programi i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe është dashur disa vjet që të kthemi në këtë program”, ka vlerësuar Gashi.
Ndryshe, gjatë diskutimit publik me palët e interesit, që ka ndodhur për herë të parë gjatë planifikimit të buxhetit në Kosovë, është thënë se përparësi do të jetë financimi dhe përkrahja për sektorët e sigurisë, drejtësisë, shëndetësisë, arsimit dhe përmirësimi i mjedisit afarist.
Ndryshe, përderisa buxheti për vitin e ardhshëm vlerësohet të arrijë në 2 miliardë euro, buxheti për këtë vit ka qenë 1 miliard e 680 milionë euro. Nga kjo vlerë, 463 milionë euro të buxhetit ishin paraparë të investohen në projekte kapitale. (REL)