Dje dëgjoja debatin në KTV për buxhetin e vitit 2018. Dëgjova disa komente elementare për zhvillimet buxhetore, por edhe plot mendime dhe konstatime krejtësisht të pabazuara dhe për ma keq jo të sakta për elementet e buxhetit.
U tha edhe dje se pritet të paguhen së paku 63 milionë euro shtesë për Rrugën 6 apo rrugën Prishtinë-Hani i Elezit. Asnjë mundësi që kostoja e kësaj rruge të rritet nga rreth 600 milionë euro sa është kontrata fillestare në 700 milionë euro nuk ekziston si po flitet këto ditë.
Kjo pasi deri në mes të vitit 2017 asnjë faturë e ardhur për pagesë nuk ka mbetur pa u realizuar dhe pagesat e tjera për faturat e ardhura kanë mundur të realizohen edhe për pjesën tjetër të vitit 2017. Të gjitha mundësitë që edhe faturat e tjera të paguhen në vitin 2018 ekzistojnë nga buxheti i vitit 2018.
Për të ndodhur kjo tani gjitha institucionet si Qeveria ashtu edhe deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të largohen nga një qasje që të trajtohet buxheti i vitit 2018 si një buxhet elektoral. Kjo për faktin se nëse buxheti i vitit 2018 trajtohet si buxhet elektoral, atëherë edhe mund të mbesin obligime të papaguara për këtë projekt sepse siç provon edhe përvoja e derisotme e qeverisjes së financave publike, qeveria dhe deputetet do të tentojnë të copëtojë investimet dhe shpenzimet publike në projekte a vepra publike të vogla për të kënaqur interesat elektorale apo ndikimin e grupeve të caktuara e në dëm të përdorimit me eficiencë të fondeve buxhetore. Së paku zyrtarisht viti 2018 nuk është vit zgjedhor.
Niveli i shpenzimeve kapitale është shumë me rëndësi për buxhetin e vitit 2018. Pajtohem me një konstatim të tillë por jo detyrimisht të vendosen limite, të thuhet se mbi 40% ose 50% të shpenzimeve totale të buxhetit duhet te jenë në shpenzime kapitale. Kjo për faktin se jo detyrimisht vetëm shpenzimet kapitale kanë ndikim në rritjen ekonomike, vetëm shikoni strukturën e buxhetit nëpër shumë vende perëndimore dhe e kuptoni konstatimin tim.
Se si do të duhej të ishte struktura e shpenzimeve buxhetore varet nga nevojat e ekonomisë dhe nga niveli i zhvillimit të përgjithshëm të sektorit publik dhe nevojat për mbështetje të sektorit privat. Me një fjali shpenzimet kapitale kanë ndikim në rritjen ekonomike vetëm kur këto shpenzime janë shpenzime produktive me normë të lartë të kthimit të këtyre investimeve.
Për ma keq kur shpenzimet rrjedhëse përdorën pa kontroll dhe për shpenzime të luksit, atëherë këto shpenzime jo vetëm që nuk sjellin asgjë të mirë për ekonomin, por bëhen pengesë e madhe për zhvillimin ekonomik jo vetëm për vitin aktual, por për disa vite me radhe. Po e lë për një herë tjetër të sqaroj ma shumë këtë temë.
(Autori ishte zëvendësministër dhe për pak muaj ministër i Financave në Qeverinë Mustafa)