Drejtori i Institutit STRASS, Ibrahim Rexhepi, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se Ligji për Buxhetin e vitit 2017 nuk është aspak historik, sepse ka një dallim të konsiderueshëm mes kategorisë buxhetore të shpenzimeve dhe të hyrave.
Ai ka deklaruar se nuk pajtohet me idenë që zhvillimi të bazohet mbi huamarrjen, për shkak se është strategji e paqëndrueshme ekonomike.
“Do të kisha pasur dëshirë që ky buxhet të kalojë me debate serioze. Sepse ai nuk është vetëm tabelë shifrash, por është filozofi për të ardhmen e vendit”.
“Ky buxhet për mua nuk është aspak historik, sic është quajtur. Unë e kam hallin tek dallimi prej 300 milionë eurosh mes të hyrave dhe shpenzimeve. Pra a do të kemi zhvillim që bazohet mbi huamarrjen – borxhin publik”.
Rexhepi më tutje është shprehur se duhet pasur kujdes me linjën buxhetore të pagave për veteranët e luftës, pasi barra që ajo paraqet për buxhetin është goxha e lartë.
“Duhet pasur kujdes sidomos tek kategoria e veteranëve, në mënyrë që shpenzimet e mëdha në këtë linjë të mos rrezikojnë marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar”.
“Nëse dalim në rrafshin e treguesve makroekonomikë, pse ky buxhet nuk po gjeneron rritje më të madhe ekonomike. Ne po flasim për një buxhet më të madh, por papunësia po vazhdon të mbetet. Deficiti tregtar vazhdon të rritet, buxheti mbushet nga doganat”.