Gazetari Berat Buzhala ka reaguar lidhur me raportimet se Shqipëria dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për hapjen e një konsullate shqiptare në Luginën e Preshevës dhe një konsullate serbe në Shkodër.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka thënë se e sheh ndryshe këtë çështje, duke argumentuar se, nëse hapja e konsullatës serbe në Shkodër ka qenë kusht për lejimin e një konsullate shqiptare në Luginën e Preshevës, atëherë marrëveshja është në interes të shqiptarëve të asaj zone.
“Opinion jopopullor: Po flitet qe Serbia dhe Shqiperia kane bo marreveshje qe Shqiperia me e hape konsulaten ne Lugine te Presheves kurse Serbia ne Shkoder. Impulsi i pare eshte “pse Serbia ne Shkoder”. Impulsi i dyte eshte “pse me u barazu Shkodra me Luginen”, sepse ne Lugine ka shume shqiptare, kurse ne vilajetin e Shkodres nja 50 serbe te deklaruar. Une po e shoh shume ma ndryshe problemin”, ka shkruar Buzhala.
Sipas tij, nëse ky ka qenë kushti i Serbisë për të lejuar hapjen e konsullatës shqiptare në Luginën e Preshevës, atëherë refuzimi i marrëveshjes do t’i linte pa përfaqësim shqiptarët e asaj zone.
“Nese ky ka qene kushti i Serbise, qe me mundesu hapjen e nje konsulate shqiptare ne Lugine, a po mendoni qe me mire me e pase Shqiperia ate konsulate, atje ku ka shume shqiptare, apo me refuzu? Nese ish refuzu kjo mundesi, atehere, le te themi kushtimisht, kishin mbete te paperfaqesume 50 serbe ne Shkoder, dhe le te themi rreth 100 mije shqiptare ne Lugine te Presheves”, ka theksuar ai.
Buzhala ka shtuar se, sipas këtij këndvështrimi, konsullata shqiptare në Luginën e Preshevës do t’u shërbente rreth 100 mijë shqiptarëve, ndërsa konsullata serbe në Shkodër një komuniteti shumë më të vogël.
“Tash jemi ne nje situate, ku ne Shkoder nje zyre e Serbise do te merret me 50 serbe, kurse nje zyre ne Lugine do te merret me 100 mije shqiptare. Ftofne pak koken, se mu nuk po me doket marreveshje e keqe. Ata 100 mije shqiptare ne Lugine kane me pase me afer shtetin shqiptare, per edukim, per kulture etj. Kurse ata 50 serbe ne Shkoder kane me e pase me afer shtetin serb”, ka përfunduar Buzhala.