Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit Sami Mazreku në një prononcim për Ekonomia Online, thotë se sfidë për Kosovën është njohja e targave dhe patentë shoferëve.
Por arritjen e marrëveshjes së fundit për targat Mazreku po thotë se do të krijojë lehtësira për qytetarët si në pagesa ashtu edhe në pritje.
“Sfidë është edhe njohja e targave dhe patentë shoferëve, edhe pse nuk i takon Byrosë së Sigurimeve por që do ta trajtojmë edhe këtë çështje gjatë diskutimeve të ndryshme”.
“Nëse flasim nga aspekti profesional praktik dhe jo atë politik mund të them që ka lehtësira, flas për veten time ku në çdo kohë kur kam udhëtuar nëpër Serbi është dashur minimumi me prit 30 minuta si në verë e në dimër ku është dashur me i ndërruar targat, dhe me paguar 5 euro kështu mendoj që është ma praktike”.
Sipas Mazrekut kjo në praktikë do të ndikojë pozitivisht ngase të dy shtetet nuk do vendosin taksa.
“Në praktikë ka me ndikuar pozitivisht, është ma e shpejtë ma praktike nuk ka kosto, dhe i bie që të gjithë. Në bazë të informatave që i kemi as Serbia nuk ka vendos taksë për stikerat e edhe në Kosovë nuk ka taksë”, theksoi tutje ai.
Nga ora 8:00 e mëngjesit të së hënës, ka nisur vendosja e stikerave në tabelat e veturave të cilat kalojnë nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas.
Kjo njëherit është pika e dytë me marrëveshjes së 30 shtatorit e arritur në Bruksel, Kosovë-Serbi.
Pikat kryesore të kësaj marrëveshje janë:
– Më 2 tetor Njësia Speciale që aktualisht është në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, do të largohen dhe në të njëjtën kohë do të largohen edhe bllokimi i rrugëve, duke filluar nga ora 08:00, por jo më vonë se ora 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinje dhe Bërnjakë, para fillimit të tërheqjes së sinkronizuar të Njësive Speciale dhe barrikadave, dhe do të qëndrojnë atje afërsisht dy javë për të ofruar ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë.
– Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës.
– Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës, të kryesuar nga BE-ja do të formohet për të gjetur një zgjidhje përfundimtare rreth targave, bazuar në standarded dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i këtij grupi do të mbahet më 21 tetor në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, grupi punues do të paraqet të gjeturat për zgjidhjen përfundimtare para përfaqësuesve të nivelit më të lartë në procesin e dialogut.