Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) ka lansuar sistemin Inovacion në Industrinë e Sigurimeve (INSUREX), raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku tha se në bashkëpunim me kompanitë e sigurimeve dhe kompaninë Quantix, si zhvilluese e softuerit, kalojnë në sistemin e ri informativ të lëshimit të policave të detyrueshme ligjore TPL dhe TPL Plus dhe menaxhimit të dëmeve.
“Sistemi i ri elektronik, vjen si rrjedhojë e natyrshme e riorganizimit të byrosë, me qëllim të promovimit, avancimit dhe hapjes së mëtutjeshme të Industrisë së Sigurimeve”.
“Në kuadër të këtij riorganizimi është krijuar funksionalizuar edhe Qendra Informative, e cila do të merret me menaxhimin e sistemeve elektronike dhe avancimin e agjendës digjitale, me qëllim të ofrimit sa me të mirë të shërbimeve të sigurimit për industrinë dhe qytetarët”, ka thënë Mazreku.
Ai më tutje ka bërë të ditur se pas më shumë se një viti zhvillimi intenziv te sistemit, të dhjetëra takimeve dhe grupeve punuese nga kompania implementuese e kanë arritur këtë marrëveshje, raporton EO.
“Byroja Kosovare e Sigurimit si dhe institucionet si Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, Administrata Tatimore e Kosovës, Agjensioni Kadastral kanë arritur që të krijojnë një sistem modern elektronik, të zhvilluar me metodologjitë dhe teknologjitë më moderne të kohës, i bazuar në ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare për mbrojtjen e informacionit, privatësisë dhe sigurisë së lartë, i cili do të na lejoj të punojmë më shpejtë e më shumë në drejtim të avancimit të tregut të sigurimeve në vend”.
Mazreku shtoi se Byroja për herë të parë po e tejkalon pagesën prej mbi 10 milionë euro.
Ai po ashtu ka thënë se është arritur marrëveshje me Qeverinë për automjetet e paregjistruara.
“Kemi bë një marrëveshje me Qeverinë. Jemi munduar që problemet e para që i kemi pas t’i eliminojmë. Për herë të parë si Byro po tejkalomë pagesën vjetore mbi 10 milionë”, tha Mazreku.
Ai ka bërë të ditur se gjatë vitit 2022 do të ketë edhe shumë risi që për qëllim kanë lehtësimin e punës si për qytetaret, ashtu edhe për industrinë e sigurimeve.