Bytyqi: Arsimi i lartë do të marrë kahje pozitive në përputhje me kërkesat e të rinjve

Prishtinë | 18 Tet 2018 | 15:59 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka mbajtur tryezë diskutimi, në të cilën ministri Shyqiri Bytyqi ka shprehur nevojën e domosdoshme për hartimin e një strategjie nacionale për arsimin e lartë.

“Kemi ardhur te një konstatim që Kosova ka nevojë të ketë një sistem arsimor të lartë më të zhvilluar dhe konsiderojmë që forma që kemi zgjedhur që ta kemi një tryezë në nivel nacional e cila do të afrojë shumë njohës të lartë, dhe të dalim edhe ne me një strategji nacionale për arsimin e lartë. Shfrytëzimi më i mirë i rinisë është që t’u ofrojmë një edukim të mirëfilltë ku do të bëhen pastaj edhe bartës të proceseve për zhvillimin e vendit”.

Bytyqi është shprehur se gjërat që nuk përkojnë me kohën duhet t’i ndryshojnë. Ai ka shprehur besimin se sistemi i arsimit do të pësojë ndryshime pozitive, raporton Ekonomia Online.

“Në Universitetin e Prishtinës nuk është bërë vlerësimi i programeve brenda, nuk është bërë vlerësimi i diplomave. A janë këto diploma që kanë nevojë studentët. Të dalim me një dokument i cili do ta hapë një dritë tjetër në arsimin e lartë në Kosovë. Besoj se të gjithë do ta përkrahin këtë strategji. Të dalim me hapa konkretë se cilat janë gjërat që duhet t’i bëjmë një nga një. Sistemi i lartë do të marrë një kahje pozitive të ndryshimit në përputhje me kërkesat e të rinjve tanë”.

Paul Vaca, nga misioni i USAID-it, ka vlerësuar se e vetmja zgjidhje për sistemin e lartë është ndryshimi. Për këtë mision ai ka ofruar mbështetjen e USAID-it.

Vaca është shprehur se shumë gjëra varen nga puna e kësaj tryeze, derisa ka shpresuar se institucionet e arsimit do ta marrin seriozisht këtë çështje.

“E vetmja konstancë është ndryshimi. Mjedisi është mjaftueshëm fleksibil që të ndryshojmë. Ne do të sigurojmë që komisioni ynë i programit do të jetë aty që t’ju ndihmojë për të plotësuar këtë mandat thelbësor që keni në këtë tryezë. Sot fillon puna e madhe dhe kam besimin se akterët e arsimit do të marrin këtë punë me seriozitet dhe shumëçka do të varet nga puna e kësaj tryeze”.

Carl Hammerdorfer nga programi transformues i lidershipit në USAID, ka deklaruar se duhet ta pranojmë se me gjithë përpjekjet, sistemi i arsimit të lartë nuk është rimëkëmbur plotësisht që prej kohës së luftës.

Ai vlerësoi se arsimimi është e vetmja rrugë e cila çon drejt perspektivës, andaj, sipas tij, ajo nuk duhet të shihet me skepticizëm.

“Krijimi i ekselencës është një qëllim. Perspektiva e jetës në Kosovë qëndron në arsim. Motivimi kryesor i studentëve të arsimit të lartë kudo në botë është puna dhe avancimi në karrierë. Arsimi është rruga jonë drejt perspektivës. Armiku i përparimit është skepticizmi”.

Hammerdorfer theksoi se grupi i mbledhur sot,  gjatë 6 muajve të ardhshëm do t’i përcaktojë shtyllat kryesore të sistemit të arsimit të lartë dhe se në fund të punës së tij do të dalin me një plan strategjik veprimi.

 

Të ngjashme