Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në prezantimin e gjetjeve të “Rishikimit Funksional të MAShT-së”, është zotuar se që nga sot do të nisë realizimi i rekomandimeve.
Sipas tij, kjo punë që është bërë në MAShT duhet të jetë hapi i parë drejt formës funksionale edhe me ministritë e tjera, raporton Ekonomia Online.
“MAShT luan rol të rëndësishëm në arsimin dhe edukimin e të rinjve. Ne kemi parë disa dobësi brenda funksionimit të ministrisë, dhe na është dashur një raport më i detajuar. Është një raport me 15 të gjetura për funksionimin e MAShT-it, të gjeturat kanë një specifikë të veten, në raport janë dhënë edhe 10 rekomandime se si të ju qasemi këtyre të gjeturave”, tha Bytyqi, duke folur për projektin e financuar nga Zyra e BE-së në Kosovë.
“Do të jemi të gatshëm që nga sot të realizohen këto objektiva që janë të rëndësishme, kjo punë që është bërë në MAShT duhet të jetë hapi i parë drejt formës funksionale edhe me ministritë e tjera, që koordinimi i punëve të jetë më i mirë”, theksoi Bytyqi.
Disa nga rekomandimet kryesore që ka nxjerrë raporti janë: Themelimi i Departamentit të politikave parauniversitare; Forcimi i Departamentit për zhvillimin e politikave zhvillimore për integrim evropian; Programi i zhvillimit të kapaciteteve brenda MAShT-it; Koordinimi i donatorëve; Roli i zëvendësministrave, etj.
Ministri Bytyqi tha se brenda 1 viti do të përfundohen të gjitha rekomandimet e dala nga raporti, raporton EO.
“Ne kemi marrë masa për realizimin e këtij projekti. Jemi në harmonizim me Zyrën e BE-së dhe tashmë është formuar task forca brenda ministrisë. Të gjeturat dhe rekomandimet kanë një afat kohor, duan kohë edhe të financimit”.
Brenda një periudhe njëvjeçare do përmbushen të gjitha rekomandimet e dala nga ky raport, ka saktësuar kreu i MAShT-së.