Kosova dhe Shqipëria janë dakorduar për krijimin e një trupe të përbashkët për njohjen e profesioneve të rregulluara mes dy vendeve.
Kështu ka thënë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i cili është takuar sot në Tiranë me homologen e tij nga Shqipëria, Lindita Nikolla, transmeton Ekonomia Online.
Bytyqi ka bërë të ditur se në takim janë dakorduar për një bashkëpunim më të ngushtë mes instituteve të historisë dhe lidhur me këtë u planifikua që të organizohet një tryezë e përbashkët me 10 qershor në Prizren, në mënyrë që ky bashkëpunim të fillojë sa më shpejtë dhe me qëllim të harmonizimit të funksionimit të të dy instituteve.
“Po ashtu, u dakorduan parimisht që me 10 qershor, po në Prizren të organizohet një tryezë e përbashkët mes rektorëve të universiteteve publike, ku do të diskutohet për programe të rëndësishme universitare por që janë në rrezik mbylljeje në mungesë kuadrosh adekuate”, thuhet në një njoftim nga ministri Bytyqi.
Gjatë këtij takimi, sipas Bytyqit, është diskutuar edhe për mundësinë e rritjes së kuotave për studentët kosovarë dhe anasjelltas për pranim në programet e avancuara në vendet përkatëse.
“Temë tjetër e rëndësishme dhe si risi mes dy ministrive u shtrua organizimi i një kampusi veror tradicional për të gjithë studentët shqiptarë për çka edhe u dakorduam. Gjithashtu, gjatë këtij takimi diskutuam edhe për shkëmbim të profesorëve në profile të rëndësishme që kanë mungesë të dyja vendet”, thuhet tutje në njoftim.
Bytyqi ka thënë se janë dakorduar me Shqipërinë që të organizojnë një kampus veror tradicional për të gjithë studentët shqiptarë. Gjithashtu, gjatë këtij takimi u diskutua edhe për shkëmbim të profesorëve në profile të rëndësishme që kanë mungesë të dyja vendet.