Bytyqi e AAK-së për dërgimin e FSK-së: Ushtarë të Kosovës, ju bekoftë Zoti në këtë detyrë e mision shumë fisnik

Prishtinë | 17 Pri 2026 | 16:11 | Nga Ekonomia Online


Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi, ka mbështetur vendimin për dërgimin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një mision ndërkombëtar në Gaza, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për vendin, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se ky zhvillim tregon se Kosova, pavarësisht madhësisë së saj, është kontribuuese në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

“Sot po flasim për një moment të veçantë për shtetin tonë, ku qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të dërgojë Forcën e Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e një misioni ndërkombëtar stabilizues në Gaza. Ky është një hap i madh dhe shumë domethënës për vendin tonë…”

Bytyqi theksoi se Kosova po dëshmon se nuk është vetëm përfituese e paqes, por edhe kontribuuese aktive në ruajtjen e saj.

“Ky është një hap i madh dhe shumë domethënës për vendin tonë, sepse me këtë konfirmojmë që edhe pse jemi shtet i vogël dhe i ri, Kosova nuk është vetëm përfituese e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, por edhe kontribuuese aktive në ruajtjen e tyre.”

Ajo shtoi se pjesëmarrja e FSK-së në misione ndërkombëtare dëshmon profesionalizmin dhe përgatitjen e saj.

“Pjesëmarrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një mision të tillë dëshmon profesionalizmin, përgatitjen dhe përkushtimin e ushtarëve tanë.”

Deputetja e AAK-së tha se ky vendim forcon pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe rrugën drejt integrimeve euroatlantike.

“Ky vendim i institucioneve të shtetit tonë është gjithashtu një dëshmi e rritjes së besimit ndërkombëtar ndaj Kosovës si një partner i përgjegjshëm dhe i besueshëm në Ballkan.”

Ajo shprehu mbështetje dhe mirënjohje për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Ne si Aleancë, përmes votës sonë e mbështesim këtë vendim… Jemi krenarë që nën udhëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj u formua Ushtria e Kosovës, krenaria jonë.”

“Ushtarë të Kosovës, ju bekoftë Zoti në këtë detyrë e mision shumë fisnik. Ju priftë e mbara”, tha Bytyqi.

Të ngjashme