Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar, të martën, Raportin e Auditimit të Performancës sa i përket renovimeve dhe rikonfigurimit të Stadiumeve të Qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë.
Derisa ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka folur për “seriozitet më të madh në histori” për ta pajisur Kosovën me infrastrukturë sportive, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, kishte një pyetje konkrete.
“A muj me ditë ministër, sa stadiume i ke nisur dhe përfunduar. Je në përfundim të mandatit”, tha Bytyqi, raporton Ekonomia Online.
Çeku i cili e ka marrë këtë detyrë para tri vitesh, ka fajësuar qeverisjet e kaluara pse MKRS nuk ka arritur ta kompletojë asnjë stadium. Ai ka veçuar stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, i cili aktualisht është në gjendje të mjerueshme.
“Me pasë nisë qysh duhet në 2019, ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë ish dashtë për dy vjet me u kry. Është nisë pa u përmbushë kushtet elementare, shpronësim, leje, kushte ndërtimore. Është absurde me nisë procedurën, e lëre me lidh kontratë pa u krye këto punë”, ka vazhduar Çeku.
“Çka me ba tash, mua më ka ra hise me i krye këto punë, që ata u dasht me i krye. Na ka marrë kohë dy vjet”, është arsyetuar ai.
Por, Çeku ka lëvduar veten se asnjëherë në historinë e Kosovës nuk ka pasur “seriozitet” më të madh për ta pajisur Kosovën me infrastrukturë sportive.
“Kjo çështje është më komplekse sesa me pyet sa i ke nisë, edhe sa i ke përfunduar”, i është përgjigjur kreu i MKRS-së, deputetes opozitare.
“Por, ti nuk do të jesh në mandatin e ardhshëm”, ka replikuar Bytyqi.
E Çeku tha se me rëndësi punët po vihen në vijë dhe SE ministri i ardhshëm nuk do t’i ketë problemet që ka pasur ai.
LEXO EDHE: