Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti në takim një ekip të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të prirë nga Stephanie Eble, shefe e Misionit për Kosovë, me të cilët bisedoi rreth gjendjes në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë, reformat, çështje buxhetore, si dhe Ligjin për mësimdhënësit e viteve 90-ta.
Bytyqi tha se janë të angazhuar në zbatimin e reformave, në mënyrë që të ngritin cilësinë në të gjitha nivelet, megjithatë theksoi se me gjithë rritjen e buxhetit ende nuk mjafton që të zbatohet plotësisht PSAK-u dhe shtoi se mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë është më se e nevojshme.
Bytyqi, foli për gjendjen në edukimin parashkollor në nivelin 0-5 vjeç dhe tha se përfshirja e fëmijëve në këtë nivel nuk është e kënaqshme dhe se gjasat për përfshirje 95 përqind është larg mundësive tona aktualisht. Ministri theksoi se në këtë drejtim po punohet me disa partnerë ndërkombëtare që të gjenden zgjidhje të tjera për përfshirje më të madhe të fëmijëve në këtë nivel.
Duke folur për zhvillimet në arsimin parauniversitar, ministri Bytyqi ndër tjera tha se, është hartuar Ligji për tekstet shkollore dhe është bërë thirrje publike për autorët e teksteve, ndërsa theksoi se në vitin e ri shkollor do të kemi tekstet e reja, ndëkohë që po punohet edhe në hartimin e Udhëzimit Administrativ për emërimin e drejtorëve të shkollave.
Ndërsa, sa i përket arsimit profesional, ministri Bytyqi tha se është i angazhuar që të rritet shkalla e bashkëpunimit me komunitetin e biznesit për zbatimin e mësimit praktik dhe se është duke u hartuar kurrikula bërthamë dhe standardet e profesioneve.
Bytyqi i informoi ekipin e FMN-së edhe për zhvillimet në arsimin e lartë me ç`rast tha se është hartuar ligji i ri për këtë nivel, i cili pritet të miratohet, ndërsa në bashkëpunim me USAID-in është formuar një grup ekspertësh për hartimin e strategjisë për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë.
Gjithashtu, thuhet në njoftim, i njoftoi përfaqësuesit e FMN-së për fillimin e hartimit të ligjit për Agjencinë e Akreditimit të Kosovës, i cili do të jetë i gatshëm vitin që vjen.
Bytyqi dhe përfaqësuesit e FMN-së folën edhe për Ligjin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta, koston e implementimit të tij, si dhe mundësitë e implikimeve anësore të këtij ligji.
Lidhur me këtë, ministri Bytyqi tha se, është diskutuar disa herë edhe me deputetët në Komisionin Parlamentar për Arsim dhe versioni i parë ka pësuar disa ndryshime dhe pritet të ketë ndikim më të arsyeshëm buxhetor në zbatimin e tij.