Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i ka dërguar ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, një urim me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së ShBA-së.
Urimin për pavarësinë, ministri Bytyqi e ka bërë publik në rrjetin social “Facebook”.
“Shkëlqesi e nderuar, zotëri Ambasador Delawie,
Zonja dhe zotërinj, personel i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë,
Urime Dita e madhe e Pavarësisë së vendit Tuaj!
4 Korriku është frymëzim për popujt e shtypur nga pushtues e diktatura që të ndjekin ëndrrën e lirisë! Ashtu ishte edhe për popullin tonë, kur u ngritëm kundër tiranisë e gjenocidit të asaj kohe. Ndihma që Ju na dhatë në bërjen e lirisë, ashtu sikur se ne e mbajmë emblemë në kujtimin tonë, e po ashtu na bën ta ndjejmë e përjetojmë si diçka tonën të përbashkët, andaj ne urojmë me shumë shpirt e shumë zemër!
Ky komb falënderues të cilit ne i takojmë, nuk do të harrojë kurrë se liria jonë është një sfond i pasur amerikan dhe i botës së lirë të vlerave për lirinë popujve dhe demokracinë perëndimore.
I dashur Shkëlqesi, krahas urimit, ne duam të ju sigurojmë se duam që lirinë ta instalojmë në funksionalitetin institucional. Liria veç e deklaruar mbetet fatkeqësi e popujve! Urime juve Shkëlqesi, gjithë personelit tuaj dhe trupave tuaja ushtarake që janë kaq domethënëse për stabilitetin dhe sigurinë e vendit tonë me prezencën e tyre. Urime!”, ka shkruar ministri Bytyqi.