Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në takimin e radhës për testin PISA 2018, i cili është mbajtur me koordinatorët e shkollave të rajonit të Prishtinës, të cilat janë përzgjedhur për të marrë pjesë në këtë test ndërkombëtar.
Me këtë rast, ministri Bytyqi kërkoi mobilizimin e të gjithëve, duke filluar nga Ministria e deri te prindërit dhe nxënësit, në mënyrë që të arrihen rezultate sa më të mira në testin PISA.
Ministri Bytyqi theksoi se është e ditur që për një periudhë kaq të shkurtër nuk mund të ngritet cilësia në arsim, por tha se duhet të rrisim vetëdijësimin për rëndësinë e Testit.
“Edhe nxënësit duhet ta kuptojnë se në këtë test nuk e përfaqësojnë vetëm veten e tyre, por e përfaqësojnë vendin me rezultatet që arrijnë. Prandaj, kërkoj nga ju që në ditët që kanë mbetur, PISA të jetë temë e përditshme e diskutimit në shkollat tuaja”, tha ministri Bytyqi dhe ftoi të gjitha koordinatorët që të bashkëpunojnë ngushtë me Komisionin e MAShT të emëruar kohë më parë për organizimin e testit PISA.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe udhëheqësi i GIZ-it, Boris Scharllovski, organizatë kjo e cila po e mbështetë MAShT-in në realizimin e Testit, por edhe në procese të tjera që janë të lidhura me ngritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar.
Paraprakisht, në shkollat pjesëmarrëse në PISA 2018 do të realizohet testi provues.