Studentët kosovarë nuk janë të përgatitur edhe aq për tregun e punës. Universitetet publike dhe kolegjet private nuk kanë bërë edhe aq sa duhet në këtë drejtim që të kenë programe më adekuate në përgatitje të studentëve për tregun e punës.
Kështu tha ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi në një intervistë për Ekonomia Online.
Ai tha se Fakulteti Ekonomik dhe ai Juridik kanë një numër të madh të studentëve. Sipas tij, Kosova ka mjaftueshëm ekonomistë dhe juristë dhe vendit tonë nuk i duhen të tillë edhe për 10 vitet e ardhshme.
“Kemi një numër të jashtëzakonshëm të universiteteve publike dhe kolegjeve private që bazën e tyre e kanë fakultetin juridik dhe ekonomik, ndërsa gjitha raportet që bëhen në hulumtime të tregut të punës na tregon se për ekonomistë dhe juristë ne nuk kemi nevojë edhe 10 vitet e ardhshme, shohim se kemi mos-përputhje mes asaj se si i kemi të organizuar programet në universitete dhe kolegje dhe çka në fakt kërkon tregu, mendoj se kjo ka qenë politikë e jona e ministrisë”.
“Publikimet për bursa, kemi nda programet që kush mund të përfitoj bursë, programet që kërkohen në treg të punës ne i kemi orientuar në atë drejtim që studentët të i stimulojmë që janë të nevojshëm për tregun e punës”, tha Bytyqi.
Ai tha se tani janë të fokusuar në ngritjen e cilësisë në arsim dhe përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.
“Është shumë e nevojshme të bëjmë riorganizimin e universiteteve sepse po flasim mbi gjitha për një ngritje të cilësisë dhe përgatitjen e të rinjve tanë për tregun e punës, nuk duhet presim që ndoshta ndonjë ditë shumë të rijnë tanë do të kuptojnë se kanë një diplomë, por do ta kenë të vështirë të gjejnë një vend të punës”.
“… është më mirë që sot të marrim hapa, përkundër që mundet të mos i pëlqej një pjesë të caktuar, por mendoj se nëse synimi ynë që ka qenë që nga fillimi e ka vetëm një qëllim të madh që të kemi cilësi në gjitha universitetet dhe kolegjet dhe të rinjtë tanë vërtetë të kenë një diplomë që është në përputhshmëri me kërkesat e tregut”, tha ai.
Bytyqi tha se synimi i fundit në sistemin arsimor në Kosovë dhe jo më pak i rëndësishmi është mësimi tërë-ditor në gjitha shkollat para-universitare në Kosovë në mënyrë që të arrihet një arsim cilësor, por sipas tij kjo nuk është e lehtë për të u bërë dhe kërkohet shumë angazhim dhe punë.
“Synimi i fundit i sistemit arsimor në Kosovë duhet të jetë mësimi tërë-ditor, realizimi që ta ngrit nivelin e cilësisë çfarë gjithë po tentojmë dhe dëshirojmë të kemi nuk mund të arrihet deri sa nuk mund të kemi mësim tërë-ditor në Kosovë”, tha ai.
Bytyqi ka folur edhe për grevën të cilën e ka paralajmëruar SBAShK-u për datën 14 janar 2019 në rast se nuk zbatohen kërkesat e tyre për nivelizimin e pagave në ligjin e pagave.
Ai tha se ministria është e hapur për dialog dhe nuk është e nevojshme të mbahen greva pasi që në këtë mes të vetmit ata që pësojnë janë nxënësit me mungesë mësimi.
“Ne akoma e kemi mundësinë në mënyrë institucionale të i qasemi zgjidhjes së problemit dhe nuk është e drejtë as nga sindikata e askush që të pengohet procesi mësimor, konsideroj se më së paku kanë faj nxënësit që mund të dëmtohen dhe nuk mund të i dëmtojnë nxënësit kur ne kemi mundësi tjera institucionale”, tha ai.
Ministri Bytyqi tha se projektligji së shpejti do të shkojë në Kuvend dhe pret nga deputetët që ta votojnë.
“Përderisa ne kemi shpreh gatishmërinë në mënyrë më të sinqertë të bashkëpunojmë bashkë në qasjen e këtij problemi, ne duhet të i shterim njëherë mundësitë institucionale dhe vetëm nëse nuk do ketë dëgjim fare nga qeveria kushtimisht po them sepse tani ligji është në parlament dhe u takon deputetëve”,
“…unë mendoj se ata do të dëgjojnë zërin tonë, do gjendet një zgjidhje më e mirë, një zgjidhje që është e përballueshme sepse duhet pasur parasysh koston që mund të ndikoj dhe problemin që e kemi me buxhetin në përgjithësi të Kosovës”, tha Bytyqi.