Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në ceremoninë e pavarësimit të paraleles së ndarë të shkollës së mesme të lartë “Gjon Buzuku” të Prizrenit në fshatin Romajë të Hasit, me ç’rast u përurua edhe biblioteka e kësaj shkolle.
Pasi që uroi banorët e kësaj ane për pavarësimin e shkollës ku ndjekin mësimet rreth 300 nxënës (rreth 150 prej të cilëve vajza), ministri Bytyqi theksoi se ndihet shumë mirë që ka pasur rastin të mbështesë pavarësimin e këtij institucioni arsimor, për të cilin kërkesën e ka bërë Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren.
Ministri theksoi se, pas shqyrtimit të argumenteve të ofruara nga DKA në këtë komunë, si dhe duke marrë parasysh edhe interesimin e prindërve dhe komunitetit në përgjithësi që kjo shkollë të pavarësohet, është parë e arsyeshme që të merret një vendim i tillë.
Ministri Bytyqi përmendi se, përveç numrit të madh të nxënësve në këtë shkollë, vendimi është marrë duke pasur parasysh edhe faktorë të tjerë, një prej të cilëve është edhe distanca gjeografike mes Prizrenit dhe Romajës, ndërsa theksoi faktin se si institucion i pavarur, kjo shkollë do të menaxhohet shumë më lehtë.
Ministri Bytyqi tha se sistemi i arsimit mund të zhvillohet në nivel shumë më të lartë duke pasur mbështetje më të gjerë të akterëve që do të ndihmojnë në këtë drejtim. “Të gjithë së bashku do të mund të ofrojmë një arsim më të mirë në Kosovë, duke ofruar kështu më shumë mundësi dhe lehtësira për shkollimin e të rinjve tanë kudo”, tha ai.
Një pjesë të fjalës, Ministri ia kushtoi edhe fuqizimit të rolit të prindërve në menaxhimin e shkollave dhe theksoi se prindërit duhet të kenë më shumë ndikim në shkolla.
Së bashku me mësimdhënësit e kësaj shkolle dhe përgjegjësit komunal të arsimit, ministri Bytyqi ka përuruar edhe bibiotekën e shkollës, e cila është mbështetur nga intelektualë dhe mësimdhënës të kësaj ane dhe organizata joqeveritare ETEA.