Është mbajtur konferenca përmbyllëse e projektit “Nxitja e kulturës demokratike dhe e diversitetit në shkollë”, i cili ka për qëllim ta mbështetë sistemin arsimor në Kosovë në përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së arsimit, përmes rritjes së dijeve dhe ndërgjegjësimit në lidhje me konceptet, politikat, praktikat, dhe përfitimet e një arsimimi gjithëpërfshirës dhe të një kulture demokratike në shkolla për mësimdhënësit, stafin, nxënësit dhe komunitetet lokale.
Shyqiri Bytyqi, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tha se pjesë e këtij projekti kanë qenë rreth 200 pjesëmarrës nga 20 shkolla pilote, raporton Ekonomia Online.
“Ky projekt ka filluar që dy vite dhe kanë marrë pjesë rreth 200 përfaqësues, përfshirë drejtorë, mësimdhënës, prindër, pjesëmarrës nga komunitetet e ndryshme nga 20 shkolla pilote. Ky program ka përforcuar njohuritë e zhvillimit për shkolla demokratike, për promovimin e klasave, përfshirjen e prindërve në partneritet, etj”.
Bytyqi bëri të ditur se MAShT-i po përpiqet ta nxisë një kulturë demokratike në sistemin formal të arsimit në Kosovë.
“Nxitja e një kulture demokratike, diversiteti në shkolla nënkupton objektivat e përgjithshme për cilësinë e arsimit që është përpjekja e jona duke nxitur një kulturë demokratike në sistemin formal të arsimit në Kosovë”, tha Bytyqi.
Ministri Bytyqi tregoi se ky projekt është përqendruar në nxjerrjen e rregulloreve që duhet të hartohen për ndalimin e diskriminimit në shkolla.
Sipas Bytyqit, roli i prindërve në edukimin e fëmijëve rreth kësaj çështjeje është mjaft i rëndësishëm.
“Ky projekt ka nxjerrë në pah rregullore shkollore të cilat duhet të hartohen në mënyrë të tillë për të ndalur diskriminimin dhe me kontribu në rritje në qëllim të përgjithshëm dhe pakënaqësitë e diskriminimit që shfaqen në shkolla tona. Roli i prindërve në këtë proces është mjaft i rëndësishëm. Nëse një fëmijë ka vështirësi në shkolla është primare që prindi me qenë pjesëmarrës në zgjidhjen e problemeve”. Prindërit luajnë rol kyç në edukimin e fëmijëve të tyre dhe i njohin ata më së miri se cilat janë kërkesat e tyre”, tha ai.
Bytyqi theksoi se përfshirja e prindërve në shkolla është thelbësore për të përmirësuar rritjen e edukimit të mirëfilltë në gjenerata.
“Të dhënat e shumta kërkimore shkencore dalin se kur prindërit kanë angazhim më të madh dhe janë të lidhur me mësimdhënësit, japin rezultate më të mira. Pra përfshirja e prindërve në shkolla është thelbësore për të përmirësuar rritjen e edukimit të mirëfilltë në gjenerata”, tha ai.
Bytyqi tha se angazhimi i përbashkët ndikon në zhvillimin dhe mundësitë e barabarta për të gjitha komunitetet dhe ndërgjegjësimin e studentëve për mundësitë e barabarta dhe diversitetin, raporton EO.
Isabelle Servoz-Gallucci, shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë tha se Këshilli i Evropës ka punuar lidhur me të drejtat e njeriut dhe arsimimin përmes edukimit.
“Këshilli i Evropës ka punuar si organizatë dhe përmes monitorimit në Kosovë që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, edukimin. Përmes kësaj kemi futur ndryshueshmërinë në komunitete duke parë se këtu ka ngjashmëri dhe dallim. Përmes arsimit ne bëjmë përfshirjen e grupeve të margjinalizuara, përpiqemi me ndihmu në aftësitë e tyre dhe forcojmë zbatimin e ligjit”.
Libor Chlad, zëvendësshef i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë tha se Ministria e Arsimit do ta ketë gjithmonë mbështetjen e ME-së.
“Ne jemi të vetëdijshëm që çdo ndryshim është i vështirë për t’u zbatuar dhe MAShT-i e ka mbështetjen tonë të plotë në këtë projekt deri në fund. Ne jemi duke punuar me MAShT-in me bashkëpunëtorë që adresojnë përmirësimin në sferën e arsimit dhe BE është donatori kryesor në Kosovë dhe sfera e edukimit është kusht primar për ne”, tha Chlad.
“Diversiteti dhe demokracia janë fjalë të mëdha. Dje duke marshuar në sheshin ‘Nënë Tereza’ për të festuar diversitetin në shoqërinë e Kosovës është e rëndësishme me e promovu vlerat nga mosha e re dhe ky projekt është i rëndësishëm dhe fëmijët duhet të kuptojnë që është normal me qenë i ndryshëm dhe unik dhe t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre”, tha ai.
Vesna Atanasova, menaxhere e programit nga Këshilli i Evropës tregoi se projekte të tilla zbatohen edhe jashtë Kosovës.
”Si KE dhe BE nuk e kemi vetëm këtë projekt në Kosovë, por zbatojmë projekte të ngjashme edhe në rajon, sepse nuk jemi vetëm ju që ballafaqohemi me këto sfida dhe përmes këtij projekti ju ndani praktikat e mira të të mësuarit kolegial dhe mësoni nga njëri-tjetri për të dëgjuar praktika evropiane”.