Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar sot Projektligjin për Inovacion Shkencor dhe Transfer të Dijes dhe Teknologjisë.
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili e paraqiti projektligjin para deputetëve, tha se në bazë të fushëveprimit, MAShT-ja në programin e saj ka paraparë këtë projektligj që do të rregullojë fushën e inovacionit dhe teknologjisë në Kosovë.
“Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës do të jetë bartëse, kompanitë e ndërmarrjeve, personat fizikë institucionet e arsimit parauniversitar, institucionet hulumtuese kërkimore. Ky projekt nuk prek asnjë institucion tjetër sepse është kompetencë e MASHT-it”, tha Bytyqi.
Teuta Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, tha se ky projektligj i plotëson kushtet dhe AAK-ja e mbështet në parim.
“I gjithë fokusi do jetë në punën e grupeve parlamentare”, tha Haxhiu, raporton Ekonomia Online.
Ky projektligj pritet të votohet në parim nga deputetët, në fund të seancës së bashku me pikat e tjera të ditës.