Bytyqi: Po përgatitemi për PISA, duhen edhe 142 shkolla për mësim tërëditor

Prishtinë | 21 Dhj 2017 | 13:56 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në konferencën e fundvitit, ka thënë se ndër punët e para me të marrë detyrën ka qenë krijimi i një komisioni dhe plani që nxënësit kosovarë të dalin më mirë në testin e radhët PISA.

Në konferencën për gazetarë, Bytyqi prezantuar punën e bërë gjatë këtyre tre muajve sa e ka udhëhequr ai Ministrinë e Arsimit dhe planet në vazhdim.

Ndër, prioritet e MAShT-së është dhe mësimi tërëditor. Për t’u realizuar kjo, Kosovës i mungojnë dhe 142 shkolla, ka treguar ministri Bytyqi, i cili e mori detyrën para tre muajsh, raporton Ekonomia Online.

Bytyqi tha se janë munduar që fillimisht të ngrisin në nivelin më të lartë punën në ministri. “Kemi kërkuar që të gjithë të jenë në përgjegjësinë e lartë lidhur me aktivitetin 100-ditësh, ndërkohë që kanë vazhduar aktivitetet që kanë qenë të planifikuara nga ministria. Ka vazhduar një bashkëpunim me partnerët tanë që kanë ndihmuar arsimin në Kosovë”.

Sa i përket angazhimit të MAShT në sigurimin e cilësisë, ministri Bytyqi, ka përmendur përgatitjet për pjesëmarrje në vlerësimin ndërkombëtar TIMSS dhe formimin e Komisionit për Testin PISA, me qëllim që të ngritet niveli i përgjegjësisë së Drejtorive Komunale të Arsimit dhe nxënësit të kenë sa më shumë informacione rreth përmbajtjes dhe rëndësisë.

Ai tha se deri në prill 2018, kur edhe do të mbahet ky test, do të bëhen edhe dy teste provuese.

“Testi i parë do të mbahet në të gjitha shkollat, e testi i dytë do të mbahet në ato shkolla që do të mbahet testi PISA”.

Në testin ndërkombëtar “PISA”, vitin e kaluar Kosova është renditur ndër tri vendet e fundit në botë.

Bazuar në programin e Qeverisë 2017-2021, ministri Bytyqi ka theksuar se, një ndër prioritetet është edhe zhvillimi i mësimit në një ndërrim, vlerësimi i kapaciteteve ekzistuese të objekteve shkollore dhe hapësirave shtesë të nevojshme.

Ndër të tjera, ministri Bytyqi ka përmendur edhe inicimin e debatit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Drejtorive Komunale të Arsimit dhe përfaqësueseve të Fakultetit të Edukimit, për profilizimin e mësuesve të klasave 1-5.

Duke folur për të arriturat në arsimin parauniversitar, ministri Bytyqi ka folur për rritjen e përfshirjes dhe mundësive të barabarta për zhvillim, aftësim dhe arsim të çdo individi, hartimin e programit të edukatoreve, të cilat punojnë me fëmijët 0-3 vjeç, plotësimit të infrastrukturës ligjore, mbështetjen e komuniteteve pakicë, parandalimin e braktisjes, përfundimin e investimeve në dy objekte të reja shkollore dhe renovimin e një shkolle, si dhe organizmin e fushatave për ngritje të cilësisë në arsimin.

Ndërkaq, sa i përket arsimit të lartë dhe shkencës, ministri Bytyqi përmendi avancimin e Sistemit të Menaxhimit të Informatave në Arsim, planifikimin për ndarjen e bursave për studentët elitar në disa programe deficitare, bashkëpunimin ndërkombëtar përmes programeve HERAS, CEEPUS, ERASMUS +, Programin Horizon 2020 dhe projekte të tjera të rëndësishme, të cilat mbështeten nga Banka Botërore, UNICEF dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Një lajm tjetër i mirë, Bytyqi tha se është ulja në masë të mirë e braktisjes së shkollave.

MAShT ka ndarë mirënjohje për gazetarët dhe mediet për kontribut të veçantë ndër vite në fushën e arsimit dhe edukimit. Nga Ekonomia Online është nderuar gazetarja Valbona Bytyqi.

Të ngjashme