Bytyqi takon drejtoreshën e UNICEF-it për Evropë, diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit

Prishtinë | 15 Maj 2018 | 17:09 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti në takim Afshan Khan, drejtoreshë rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe përfaqësues tjerë në Kosovë, me të cilët bisedoi për mundësitë e përforcimit të partneritetit ekzistues ndërmjet MAShT-it, UNICEF-it  dhe institucioneve tjera të vendit për edukimin në fëmijëri të hershme, përmirësimin e cilësisë në arsim dhe çështje tjera me interes, transmeton Ekonomia Online.

Me këtë rast ministri Bytyqi ka falënderuar  përfaqësuesit e UNICEF-it për bashkëpunim dhe mbështetjen e vazhdueshme në edukimin dhe realizimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, njëherësh theksoi nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.

“Ministri Bytyqi theksoi se është shumë me rëndësi që programet dhe synimet tona  si institucion janë në përputhje edhe me programet e UNICEF , prandaj edhe bashkëpunimi  është më i lehtë dhe më i suksesshëm”, thuhet në një komunikatë të MAShT-it.

“Duke e ditur rëndësinë  e edukimit  në fëmijëri të hershme, ne jemi të angazhuar  që të rrisim numrin e përfshirjes së fëmijëve  nga mosha 3-5 vjeçare , porse aktualisht nuk kemi kapacitetet të mjaftueshme që të arrijmë standardet evropiane në këtë drejtim”, theksohet tutje në komunikatë.

Sa i përket përmirësimit të cilësisë në arsim, ministri Bytyqi tha se tashmë ka filluar të implementohet kurrikula e re por që ende ka nevojë për trajnimin e mësimdhënësve, në  aspektin e të kuptuarit thelbësorë të përmbajtjes kurrikulare dhe aplikimit të metodologjive bashkëkohore në mësimdhënie.

Ndërsa, sa i përket gjithëpërfshirjes në arsim, ministri Bytyqi theksoi se gjithëpërfshirja është evidente në të gjitha dokumentet strategjike të zhvillimit të arsimit në Kosovë dhe se janë bërë hapa të mirë në këtë drejtim, por natyrisht ka ende punë për tu bërë sidomos  në vetëdijësimin e nxënësve dhe prindërve të komuniteteve RAE për rëndësinë e shkollimit të fëmijëve.

Sa i përket përfshirjes së fëmijëve me nevoja të veçanta në klasat e integruara, ministri Bytyqi tha se është lajm i mirë që do të kemi kod të ri buxhetor që lehtëson punën e asistenteve që do të përkujdesen për edukimin e këtyre nxënësve në shkolla.

Të ngjashme