Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, mori pjesë në hapjen e punëtorisë për rishikimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ (UA), që ka të bëjë me themelimin dhe funksionalizimin e qendrave mësimore.
Kjo punëtori e organizuar nga MAShT në bashkëpunim me GIZ-in është shumë e rëndësishme, ka vlerësuar Bytyqi, ashtu siç është jashtëzakonisht me rëndësi angazhimi për ta rishikuar dhe plotësuar këtë dokument ligjor, i cili rregullon funksionalizimin e qendrave mësimore dhe kjo është vazhdimësi e punës së MAShT për plotësimin e infrastrukturës ligjore aty ku është e nevojshme.
Bytyqi ka çmuar punën dhe angazhimin e këtyre qendrave, të cilat ofrojnë arsim dhe edukim shtesë për fëmijët e komuniteteve, veçanërisht për fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.
“Me këtë po dëshmohet edhe një herë përkushtimi për gjithpërëfshirje dhe dhënie të mundësive të barabarta për të gjithë. Këto qendra po ndihmojnë fëmijët e këtyre komuniteteve që të përfitojnë njohuri dhe shkathtësi të duhura për jetën. Gjithashtu, ato kanë dhënë kontribut të çmuar për vetëdijesimin fëmijëve të këtyre komuniteteve për rëndësinë e arsimimit dhe edukimit, por kanë ndikuar edhe në rënien e shkallës së braktisjes së shkollimit”, ka thënë ai.
“Ky Udhëzim do të saktësojë shumë çështje për punën e këtyre qendrave dhe me plotësimet që do të bëhen, do të shihet më e qartë perspektiva e këtyre qendrave, qëndrueshmëria dhe aspekte të tjera”.
Kreu i MAShT-së ka falënderuar GIZ-in dhe partnerët e tjerë që po e mbështesin MAShT-in në angazhimet për edukim gjithpërfshirës. ai ka treguar se po shikohen mundësitë për hartimin e një projektligji me të cilin do të rregullohet edhe çështja e financimit të institucioneve edukativo-arsimore jopublike.
“Me hartimin e këtij Udhëzimi, do të rregullohet çështja e regjistrimit të këtyre qendrave, e kuadrit, e programeve që ofrohen, në mënyrë që të jenë në përputhje me kurrikulën e re, si dhe çështje të tjera me rëndësi”, ka theksuar ministri.