Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, vizitoi shkollën “Loyola” në Prizren, për të cilin tha se zhvillon arsim dhe edukim cilësor.
Bytyqi bëri të ditur se së bashku me ndërkombëtarët, Ministria e Arsimit po përpiqet t’u krijojë kushte për edukim të rinjve nga të gjitha komuniteteve, raporton Ekonomia Online.
“Jemi duke bërë përpjekje bashkë me ndërkombëtarë që t’u krijojmë kushte të gjitha komuniteteve që ato të edukohen”.
“Gjimnazi Loyola që shihet se nuk është zhvillu vetëm arsimi cilësor, po është bërë edhe një edukim cilësor. Pse është bërë tregon vetëm humanizmi i studentëve të gjimnazit, sepse edukimi i këtyre njerëzve arriti që të bëjë njerëz humanitarë. Ata u bënë shokë, mësues, për të mirën e komunitetit”.
Bytyqi falënderoi këtë shkollë dhe stafin e saj për mundësinë e shkollimit të fëmijëve të komuniteteve, raporton EO.
“Nga njëra anë kishim një ngjyrë që ishte gjimnazi Loyola dhe nga ana tjetër kishim fëmijë pa shkollë. Këta fëmijë u shkolluan me të vetmin qëllim që ta ndajnë përvojën e edukimit. Konsideroj se falënderimi duhet t’i shkojë shkollës Loyola, stafit menaxhues dhe studentëve tanë të gjimnazit Loyola”.
“I uroj sukses shkollës, të rinjve. Jam i sigurt se të rinjtë këtu do marrin arsimin, por edhe edukim dhe do të jetë i sigurt për të ardhmen e tyre, por edhe të ardhmen e vendit tyre”.
Ministri Bytyqi premtoi se të gjithë fëmijëve dhe të rinjve do t’u krijohen mundësitë e barabarta në shkollim e edukim.
“Ne do sigurohemi që të ketë standarde evropiane. Ne po arrijmë detyrë shumë të madhe, gjithëpërfshirëse të të rinjve tanë në edukim dhe mundësi e barabartë e të gjithë të rinjve kosovarë që të shkollohen”.
Ai premtoi edhe bursa për fëmijët e komuniteteve.
“Që të gjithë të rinjtë tani t’i përkrahim në arsim dhe edukim, veçanërisht për fëmijët e komuniteteve do shpërndajmë bursa qe të shkollohen”.
Ish presidentja, Atifete Jahjaga, bëri thirrje që të sigurohet se shkollat e përmbushin misionin e tyre edukativ.
“E dimë që edukimi është shumë i rëndësishëm për ne, qoftë djalë apo vajzë, është përcaktuesi i të ardhmes sepse varet në të ardhmen e tij apo të saj”.
“Shkollat janë përgjegjëse për një edukim të mirë. Të sigurohemi se shkollat përmbushin misionin e tyre edukativ.”
Jahjaga theksoi se fëmijët duhet të rriten në frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit, derisa shtoi se kjo shkollë do të ndihmojë në tolerancë mes fëmijëve.
“Kosova shteti ynë është shoqëri multietnike dhe duhet që të ketë harmoni. Kemi shumë nevojë që të jemi më të afërt, ku shoqëritë e pranojnë njëri-tjetrin. Prandaj, fëmijët tanë duhet të rriten në frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit. Kjo shkollë do ndihmojë në tolerancë mes fëmijëve. Ende ka problem në atë se romët dhe ashkalinjtë vazhdojnë të jenë të izoluar dhe të lënë anash nga ana e shoqërisë. Pa ta shoqëria mbetet e mangët”.
Ish-presidentja u zotua ta mbështesë këtë shkollë edhe në emër të fondacionit “Jahjaga”.
“Integrimi i të gjitha komuniteteve nuk arrihet vetëm me politikë, por pjesëmarrja e tyre arrihet kur të gjithë ne i ndihmojmë në shoqërinë tonë dhe në shtetin tonë. Edhe në emër të fondacionit Jahjaga do ta keni mbështetjen time”.
Riccardo Serri, përfaqësues i zyrës së BE-së në Kosovë, u shpreh i kënaqur me hapjen e shkollës.
“Është kënaqësi e madhe të jem me ju. Jam njoftuar me disa nxënës që janë munduar të zënë disa vite të edukimit të tyre dhe këtu e kam gjetur një profesor entuziast që i ka mësuar ata. Nuk kam besuar që shkolla do të përfundojë në shtator. Është surprizë e madhe që tashmë kemi një ambient më të madh”.
Kryetari komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, përgëzoi të gjithë për punën dhe përkushtimin e treguar për hapjen e kësaj shkolle.
“Kur e shohim këtë objekt, nuk shohim vetëm objektet, por edhe përkushtimin për të bërë një punë të mirë. Vetëm kur bëjmë punë vullnetare i ndihmojnë komunitetit”.