Ministri shqiptar në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj është takuar me Nën-Sekretaren e Përgjithshme për Çështjet Politike dhe Paqendërtuese në OKB, Rosemary DiCarlo.
Cakaj shprehet se “gjatë pjesëmarrjes në punimet e sesionit të 74 të Asamblesë së Përgjithshme, takova edhe Nën-Sekretaren e Përgjithshme për Çështjet Politike dhe Paqendërtuese në OKB, Rosemary DiCarlo.
Përmes një postimi në Facebook, Cakaj ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe njohja e pavarësisë së saj prej të gjitha vendeve anëtare është pranim i realitetit objektiv.
Postimi i plotë:
Gjatë pjesëmarrjes në punimet e sesionit të 74 të Asamblesë së Përgjithshme, takova edhe Nën-Sekretaren e Përgjithshme për Çështjet Politike dhe Paqendërtuese në OKB, Rosemary DiCarlo
Takimi përmbajti veçanërisht tre gjëra me rëndësi:
Së pari, nënvizuam hollësisht mbështetjen e Shqipërisë për rritjen e efektivitetit të operacioneve paqeruajtëse të ndërmarra nga organizata dhe përpjekjeve të vazhdueshme për forcimin e “Fondit për Ndërtimin e Paqes”.
Së dyti, theksuam fuqishëm nevojën e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në OKB dhe njohjen e pavarësisë së saj prej të gjitha vendeve anëtare si masë e vendosjes së drejtësisë historike dhe pranimit të realitetit objektiv.
Së treti, shpalosëm programin e Shqipërisë në shërbim të kandidaturës së Shqipërisë për vendin e anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit për vitin 2022-2023.
Shqipëria do të jetë gjithmonë një partner i besueshëm e faktor konstruktiv në marrëdhënie dypalëshe e organizata shumëpalëshe në përgjithësi.