Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka kujtuar shënimin e 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Përmes një shkrimi në Facebook, Cakaj ka thënë se shënimi i ditëve të Epopesë së UÇK-së është shumë më shumë sesa ruajtja e kujtimit të fortë e më tepër se përulja e thellë për familjen, që ra për të ngritur një popull të tërë.
Ai theksoi se kujtimi i familjes Jashari është lartësim i krejt asaj që përfaqëson në vetvete UÇK-ja: vlerën e lirisë përtej jetës, dashurisë për kombin përmbi familjen dhe sakrificën e pamatshme për idealin sublim për çlirimin e Kosovës!
“Lufta e madhe e sakrifica e pashembullt e 5, 6 e 7 marsit 1998, në Prekaz, janë gurë-themeli i Kosovës së lirë e pikëbashkim i kombit shqiptar në përgjithësi.”- përmbylli Cakaj postimin e tij.