Menaxher i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli ka kritikuar vendimin për caktimin e seancës konstituive të Kuvendit më 6 gusht, duke e cilësuar atë si një veprim të vonuar dhe institucionalisht të papërgjegjshëm, ndërsa ka paralajmëruar për pasoja të mundshme kushtetuese në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Cakolli tha se problemi kryesor lidhet me afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, i cili sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese fillon të rrjedhë nga dita e konstituimit të Kuvendit.
“Caktimi i seancës konstituive për 6 gusht, përveçse është veprim i vonuar, është edhe institucionalisht i papërgjegjshëm. Pjesa më problematike e caktimit të seancës më 6 gusht lidhet me afatin 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se, në rrethanat kur Kuvendi ende nuk është konstituuar, ky afat fillon nga konstituimi i tij. Kjo do të thotë se 6 gushti e aktivizon afatin, 7 gushti llogaritet si dita e parë, ndërsa 5 tetori është dita e 60-të dhe, rrjedhimisht, dita e fundit për zgjedhjen e Presidentit”, shkroi ai.
Sipas Cakollit, një situatë e tillë mund të krijojë një boshllëk institucional nëse procedura për zgjedhjen e presidentit dështon në fund të afatit.
“Në anën tjetër, më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit. Nëse procedura e zgjedhjes së Presidentit shkon deri në ditën e 60-të, pra më 5 tetor, dhe eventualisht dështon, atëherë Kuvendi do të shpërndahet pasi që periudha e ushtrimit të detyrës së Presidentit tashmë të ketë përfunduar. Kjo do të thotë se mund të mbetemi njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit, që është i vetmi funksion me mandat kushtetues për ta formalizuar shpërndarjen e Kuvendit, për ta caktuar datën e zgjedhjeve të reja dhe, pas tyre, për ta propozuar mandatarin për Kryeministër”, theksoi ai.
Cakolli kritikoi mungesën e progresit në dialogun politik, duke vlerësuar se koha e lënë në dispozicion për arritjen e një marrëveshjeje nuk po shfrytëzohet.
“Aq më keq që, koha që u tha se po lihet në dispozicion për negociata rreth zgjedhjes së Presidentit po kalon jo vetëm pa marrëveshje politike, por edhe pa asnjë raund të ri takimesh ndërpartiake”, shtoi Cakolli.