Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar ashpër ndaj sulmeve fizike ndaj Hysni Mehanit duke i cilësuar ato si “vijë të kuqe për çdo shoqëri demokratike”.
Ai ka theksuar se dhuna politike është e papranueshme dhe e dënueshme, duke kërkuar që raste të tilla të mos normalizohen apo të trajtohen si pjesë e zakonshme e klimës parazgjedhore.
Sipas Cakollit, pas ngjarjeve të tilla nuk duhet të ketë asnjë “por”, pasi çdo përpjekje për ta relativizuar dhunën fizike është e papranueshme. Ai vlerësoi se debati për gjuhën e përdorur në politikë, polarizimin dhe klimën e tensionuar politike në Kosovë është i domosdoshëm, por duhet të zhvillohet ndaras nga aktet e dhunës.
“Degradimi i vazhdueshëm i diskursit publik bart pasoja serioze”, ka shkruar ai, duke nënvizuar se kjo nuk duhet të përdoret asnjëherë si arsyetim apo relativizim për sulmet fizike ndaj kundërshtarëve politikë.