Caktohet data për shpalljen e aktgjykimit në rastin “Banjska”

Prishtinë | 20 Pri 2026 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur sot seanca për rastin “Banjska”, me ç’rast u morr vendim që shpallja e aktgjykimit ndaj tre të akuzuarve të mbahet të premten e 24 prillit.

Dushan Maksimoviq deklaroi se dëshiron të jetë i pranishëm në sallë kur të shpallet aktgjykimi, ndërsa dy të akuzuarit e tjerë, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq deklaruan se s’duan të marrin pjesë në shpalljen e aktgjykimit, transmeton Klankosova.tv.

Ndryshe Maksimoviq, Spasojeviq dhe Toliq dhanë sot fjalët e tyre përfundimtare.

Në seancën e kaluar, prokurori i Prokurorisë Speciale, Naim Abazi, kishte kërkuar burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

Në fjalën e tij përfundimtare, ai kishte paraqitur një dokument prej 21 faqesh, si dhe pamje nga momenti i sulmit të ndodhur më 23 shtator 2023.

Sipas prokurorit, është vërtetuar se të akuzuarit kishin dijeni për zhvillimin e sulmit dhe kishin rol në të, ndërsa qëllimi i tij, sipas tij, ishte aneksimi i veriut të Kosovës.

Të ngjashme