Caktohet rikonstruimi i vendit të ngjarjes në rigjykimin për vrasjen e kushëririt

Prishtinë | 17 Nën 2023 | 11:20 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u caktua rikonstruim i vendit të ngjarjes, në rigjykimin për vrasjen e kushëririt.

Në këtë rast, Gëzim, Muharrem, Fadil dhe Bedri Rexhepi, po akuzohen se pas një përleshje më 26 tetor 2017, ishte privuar nga jeta tani i ndjeri Sh.R.

Lexo Edhe:
Rikonstruimi i vendit të ngjarjes u caktua të bëhet më 27 dhjetor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gazmend Bahtiri tha se nuk do të vazhdohet më tej pa e bërë rikonstruimin, meqenëse sipas tij është rekomandim nga Gjykata e Apelit.

I njëjti tha se në rikonstruim do të marrin pjesë eksperti i balistikës, eksperti mjeko-ligjor, palët tjera të domosdoshme, si dhe dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes.

Më 2 tetor 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim ndaj të akuzuarve Gzim, Muharrem, Fadil, Bedri dhe Pajazit Rexhepi.

Por Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe e kishte kthyer rastin në rivendosje, pasi që sipas të njëjtëve aktgjykimi ishte i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe kjo kishte ndikuar që gjendje faktike të vërtetohet në mënyrë të plotë.

Për të akuzuarin Pajazit Rexhepi, vepra penale kishte arritur parashkrimin absolut të ndjekjes penale, pasi ngarkohej për “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë”.

Ndryshe, më 22 maj 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzën sipas të cilës, të akuzuarit Muharrem dhe Fadil Rexhepi si dhe tashmë i ndjeri Sh.P, më 26 tetor 2017, kishin shkuar të armatosur tek shtëpia e të akuzuarve Gëzim, Bedri dhe Pajazit Rexhepi dhe pas një fjalosje lidhur me çështjen e prerjes së malit, kishin filluar të sulmojnë fizikisht të akuzuarin Bedri. I akuzuari Gëzim thuhet se kishte marë një pushkë automatike, me të cilën kishte shtënë në drejtim të të akuzuarve Muharrem dhe Fadil Rexhepi si dhe Sh.R., e ku me një plumb e kishte goditur këtë të fundit, duke i shkaktuar vdekjen.

Prokuroria të akuzuarin Gëzim Rexhepi e ngarkon me veprat penale “Vrasje”, “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, të akuzuarin Muharrem Rexhepi me “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, të akuzuarit Fadil dhe Bedri Rexhepi me “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa të akuzuarin Pajazit Rexhepi e ngarkonte me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Të ngjashme