Caktohet super-ekspertizë financiare në gjykimin për përvetësimin e mbi 1 milion eurove

Prishtinë | 17 Tet 2022 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e së hënës është caktuar super-ekspertizë financiare, në rastin ku zyrtari i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Mendim Sojeva dhe zyrtarja e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Ganimete Gashi– Ahmeti  po akuzohen se kishin përvetësuar mbi 1 milion euro në emër të avancave.

Një vendim i tillë, është marrë nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Vesel Ismaili, pas propozimit nga mbrojtësi i të akuzuarit Sojeva, avokati Ali Beka, pas dëgjimit të ekspertit financiar Emin Blakaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Propozoj trupit gjykues që të urdhëron një super-ekspertizë prej grupit të ekspertëve, për faktin se në këtë çështje penale i kemi dy ekspertiza dhe ekspertët e tyre edhe përkundër dëgjimit të tyre në shqyrtim gjyqësor, nuk është arritur që të eliminohen paqartësitë dhe kontradiktat në vetë ekspertizat e tyre”, tha avokati Beka.

Por, ky propozim u kundërshtua nga prokurori special Haki Gecaj.

“Edhe pse në parim nuk i kundërshtoj propozimet për nxjerrjen e provave të cilat ndihmojnë ndriçimin e gjendjes faktike, por në këtë rast e kundërshtoj propozimin për nxjerrjen e një ekspertize të re nga grup ekspertësh, nga fakti se është një përpjekje për prolongimin e procesit gjyqësor në këtë çështje penale”, tha prokurori Gecaj.

Tutje, i njëjti tha se të dy ekspertët në ekspertizat e tyre e kanë dhënë mendimin se në këtë rast është tërhequr në emër të avancave për udhëtime zyrtare për AKPPM, shuma prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë.

Në fund, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ismaili, e aprovoi propozimin e avokatit Beka.

“Do të caktohet një komision prej 3 ekspertëve financiar dhe ta presim një verdikt të tyre”, shtoi gjykatësi Ismaili.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 6 tetor 2020, i akuzuari Mendim Sojeva po akuzohet se në cilësinë e udhëheqësit të divizionit për buxhet dhe financa në AKPPM, në periudhën prej vitit 2014 e deri në mars 2018, kishte përvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së.

Sipas PSRK-së, këto avanca i ishin besuar të akuzuarit Sojeva në menaxhim sipas pozitës së tij, ku shumën e përgjithshme prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra nga zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Fatmir Kajtazi, e kishte pranuar i akuzuari Sojeva, duke nënshkruar në fletë-tërheqje me rastin e pranimit për shumën 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, por për të cilat nuk ka dëshmi se ishin respektuar procedurat për tërheqje.

Të ngjashme