Çanak edhe njëherë ua hap sytë serbëve: Kosova është shtet i pavarur

Prishtinë | 09 Gus 2021 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, ka deklaruar sot se personalisht mendon që Kosova është shtet i pavarur.

Gjatë një interviste dhënë për televizionin Happy, Çanak tha se personalisht mendon se të gjithë mund të binden në këtë nëse shkojnë në Gjakovë, transmeton Telegrafi.

“Nëse shkoni në Gjakovë, do ta shihni që ata kanë policinë e tyre, gjykatat, sistemin policor që funksionon”, ka thënë Çanak.

Ndërkaq i pyetur nga gazetari nëse për shkak të një qëndrimi të tillë e konsideron veten tradhtar, ai është përgjigjur: “Po të kishte referendum në kohën e Galileut – nëse toka është e sheshtë, 99 për qind do të thoshin që po, por kjo akoma nuk do të thotë që është e sheshtë – por se njerëzit mendojnë ashtu”.

Ai theksoi se pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka ardhur në përfundim që qëndrimet e tij “në disa fusha që ai flet, janë të vërteta – e në disa tjera janë thjesht konstrukte politike”.

“Nuk është vetëm bardhë e zi. Por të mbyllni sytë, si patriot të mos shihni realitetin – nuk është një politikë e mirë”, ka thënë për fund Çanak.

Të ngjashme