Ka përfunduar projekti i realizuar nga OJQ “Peja Lions Club” pas një pune 4- mujore për vlerësimin e gjendjes shëndetësore të syve të nxënësve dhe shpërndarjen e syzeve për nxënësit në 2 shkolla fillore, njëra në Pejë dhe tjetra në Istog.
Në kuadër të këtij projekti, rreth 250 fëmijëve me dëmtime në të parë u janë dhuruar syze nga kompania franceze “Essilor Group”.
“Është bërë një punë e madhe, tërësisht vullnetare, nga i gjithë ekipi i ‘lionistëve’ të Pejës, drejtoritë, mësimdhënësit dhe stafi i këtyre shkollave, si dhe nga ekipi i matjes së funksionit vizual nga qendra burimore për mësim dhe këshillim ‘Xheladin Deda’”, thotë Ekrem Zogaj, përgjegjës për këtë projekt në OJQ “Peja Lion Club”.
Projekti në fakt përveç aspektit të bamirësisë dhe përkujdesjes për personat me dëmtime pamore, ka pasur edhe synime vetëdijesuese dhe për identifikim të rasteve. Gjatë realizimit të këtij projekti, afro 1 mijë e 500 nxënës të SHF “Dardania” në Pejë dhe SHF “Trepça” në Banjë të Istogut kanë kaluar testime bazike të të parit. Prej këtij numri të nxënësve, një pjesë e madhe e tyre është rekomanduar për vizitë të oftalmologu. Sipas drejtuesve të këtij projekti, ky projekt ka pasur edhe efektin vetëdijesimit në shkolla dhe familje për dëmtimet që kanë fëmijët.
Sipas drejtorit të QBMK “Xheladin Deda” në Pejë, Xhavit Kastrati, dy ekspertët e kësaj shkolle të të verbërve, ua kanë bërë testin me numra dhe shkronja dhe gati çdo të tretit i kanë thënë se kanë nevojë t’i drejtohen mjekut të syve për shkak të problemeve pamore të identifikuara. Në këto teste nuk janë dhënë diagnoza, por vetëm është bërë identifikimi i rasteve dhe referimi i tyre për mjekë. “Nga këto teste të funksionit vizual ka dalë se më shumë se gjysma e nxënësve të testuar kanë pasur nevojë për syze. Pothuajse një e treta e tyre janë referuar për vizitë te mjeku i syve, një pjesë e të cilëve as nuk kanë qenë të vetëdijshëm për mangësitë që kanë në funksionin e të parit. Dhe kjo është një pasqyrë e gjendjes te fëmijët që po rriten me smartphone, që nga ditët e foshnjërisë”, thotë Kastrati.